Shitjet e automjeteve elektrike Tesla ranë në mars në shumë vende evropiane, pjesërisht për shkak se shumë konsumatorë duket se kanë një pikëpamje negative për pronarin e kompanisë dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të Donald Trump, Elon Musk. Një tjetër arsye mësohet se është edhe për shkak të “plakjes” së modeleve të Teslas.
Shitjet ranë 36.8% në Francë, ku tregu i përgjithshëm i veturave elektrike pa një rënie të lehtë, sipas të dhënave të publikuara të martën nga PFA, e cila përfaqëson prodhuesit e automjeteve dhe komponentëve. Edhe më keq për kompaninë ishin gjërat në Suedi, ku shitjet e Tesla ranë 63.9% në mars dhe 55.2% në tremujorin e parë të vitit, sipas Mobility Sweden.
Modeli Y i Tesla-s, i cili ishte në vendin e parë në shitje gjatë tremujorit të parë të 2024-ës, tani është në vendin e pestë, pas dy Volvo-ve, Volksëagen ID.7 luksoze dhe një Subaru. Shitjet e Tesla në Danimarkë ranë me më shumë se gjysmën, konkretisht 56% në tremujorin e parë, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2024, raportoi Mobility Denmark.
Gjermania, Britania dhe Italia do të shpallin shitjet e automjeteve për muajin mars në ditët në vijim. Tesla gjithashtu pritet të bëjë njoftimet e veta në lidhje me tremujorin e parë të vitit. Në të njëjtën kohë, thirrjet për një bojkot të Tesla-s janë shumëfishuar, si dhe vandalizmi i automjeteve, shitësve dhe stacioneve të karikimit. Shumë protesta u organizuan të shtunën e kaluar jashtë ambasadave në Amerikën e Veriut dhe Evropë.
Të hënën në mëngjes në Romë, 17 vetura u dogjën jashtë një koncesionari , ndërsa policia nuk përjashtoi mundësinë e zjarrvënies. Elon Musk foli për një akt “terrorist”, ndërsa zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini foli për “urrejtje të tepruar dhe të pajustifikuar kundër Tesla-s”, duke dënuar “demostratat e dhunshme, fyerjet dhe zjarrvëniet”.
/Motilokal.com
