Pas acarit pranverore, Ministria e Bujqësisë zgjohet nga gjumi: Fermerët le ta ruajnë postimin për vitin tjetër

Pas acarit pranverore, Ministria e Bujqësisë zgjohet nga gjumi: Fermerët le ta ruajnë postimin për vitin tjetër

Të dielën, më 6 mars, Kosova u përfshi nga një valë e ftohtë polare, e shoqëruar me reshje bore dhe temperatura të ulëta, të cilat deri më sot, më 8 prill, kanë zbritur deri në -4°C.

Motilokal.com kishte paralajmëruar me kohë për këtë depërtim të masave ajrore polare.

Sot, Ministria e Bujqësisë e Kosovës u kujtua të postojë disa udhëzime për mbrojtjen e kulturave bujqësore. Megjithatë, këto këshilla mund të jenë të vonuara për situatën aktuale, pasi nga nesër parashikohet rritje e temperaturave. Ndoshta, për vitin e ardhshëm, do të ishte më efektive që këshillat të jepen më herët.

Postimi i plotë i Ministrisë së Bujqësisë:

Temperaturat e ulëta pranverore (ngricat) paraqesin rrezik të madh për dëmtimin e kulturave bujqësore, veçanërisht tek pemishtet. Tek kulturat e tjera pranverore, dëmet janë më të vogla, por gjithsesi ndikojnë në ngadalësimin e mbirjes dhe zhvillimit normal të tyre.

Mbrojtja e pemëve nga temperaturat e ulëta

Këto ditë jemi duke u përballur me temperatura të ulëta dhe ngrica të vonshme pranverore, të cilat janë paraqitur gjatë 3–4 ditëve të fundit. Edhe pse këto ngrica kanë zgjatur vetëm disa orë gjatë natës, ato mund të shkaktojnë dëme të mëdha, sidomos tek kulturat pemëtarë, si: pemët farore, bërthamoret, arroret dhe pemët e imta (si dredhëzat), veçanërisht në fazën e lulëzimit.

Në këtë situatë, është e domosdoshme të ndërmerren masa parandaluese dhe mbrojtëse, pasi sipas parashikimeve të motit, pritet që edhe dy ditët e ardhshme në Kosovë të ketë temperatura të ulëta.

Temperaturat kritike për mollën janë:

• Sythat e mugulluara: -3.9 gradë C

• Lulja: -2.2 gradë C

• Fruti i posaformuar: -1.1 gradë C

Nëse temperaturat bien më poshtë se këto vlera në cilëndo fazë të zhvillimit, dëmet mund të jenë shumë të mëdha.

Masat që rekomandohet të ndërmerren janë:

1. Spërkatja me ujë (ujitja me spërkatje): Nëse keni sistem spërkatës, aktivizojeni në orët e natës para se të bie temperatura nën 0 gradë C. Uji gjatë ngrirjes liron nxehtësi që mbron lulet dhe frutat nga dëmtimi.

2. Tymosja (zjarre të kontrolluara): Ndezja e zjarreve të kontrolluara në skajet e pemishtes krijon një shtresë tymi që ngadalëson ftohjen e ajrit dhe ndihmon në ruajtjen e temperaturës mbi nivelin kritik.

3. Mbulesat mbrojtëse (tekstile agroteknike): Përdorimi i rrjetave ose mbulesave të lehta ndihmon në ruajtjen e ngrohtësisë natyrore dhe pengon dëmtimet nga ngricat e hershme.

4. Mos kryeni krasitje apo ndërhyrje intensive gjatë kësaj periudhe, sepse ato mund të dobësojnë më tej pemët që janë tashmë të ndjeshme ndaj stresit të ftohjes.

5. Përdorimi i preparateve kundër ngricës:

Preparatet bimore anti-ngricë, të cilat veprojnë duke ulur pikën e ngrirjes së lëngjeve në qeliza. Këto mund të gjenden në barnatoret bujqësore. Rekomandohet që para përdorimit të konsultoheni me agronomin përgjegjës të barnatores.

Biostimulues që forcojnë bimën ndaj stresit nga temperaturat ekstreme dhe nxisin rigjenerimin.

Kur t’i përdorni?

Aplikimi duhet të bëhet 1 deri në 2 ditë para valës së ftohjes, zakonisht në orët e pasdites, përmes spërkatjes foliare.

Ruani pemishtet – mbroni prodhimin tuaj.

Ju këshillojmë që të monitoroni përditë parashikimet e motit dhe të veproni në kohë.

Për më shumë këshilla dhe ndihmë praktike, mos hezitoni të kontaktoni agronomin tuaj apo zyrat komunale për bujqësi – këshilltarin komunal për bujqësi dhe zhvillim rural.

Departamenti i Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike, MBPZHR                     

Rr. “Ukshin Hoti”, ndërtesa e ish Ramiz Sadikut, Nr. 120 Kati III,  Prishtinë – Kosova

Tel. 383- (0)3820038426

/Motilokal.com