Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se Parku Fotovoltaik në Karavasta është aktualisht parku më i madh i energjisë diellore në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë ceremonisë së përurimit të këtij investimi madhor, Balluku njoftoi gjithashtu se kompania franceze “Voltalia”, e cila është investitori i parkut në Karavasta, do të ndërtojë një park tjetër në zonën e Spitallës.
“Ky park mbart shumë vlera. Jo vetëm që është më i madhi në Ballkan, por kemi arritur edhe një çmim rekord për energjinë e prodhuar. ‘Voltalia’ është një shembull frymëzues i investimeve të suksesshme të huaja në Shqipëri, veçanërisht në sektorin energjetik”, tha Balluku.
Ajo theksoi se Shqipëria synon që deri në vitin 2030 të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. “Ne i përkasim Evropës. Kemi lindur në zemër të saj dhe jemi një ndër popujt më të lashtë të kontinentit, këtë nuk e ndryshon dot askush”, tha ministrja.
Duke folur për zhvillimin e projektit, Balluku kujtoi se ka ndjekur nga afër punimet që prej fillimit, testimet e para të prodhimit, e deri në përurimin e sotëm. “Voltalia theu akullin për investimet në energjinë diellore në Shqipëri. Falë tyre dhe partnerëve të ngjashëm, sot ka më shumë besim nga investitorët e huaj për të ndërmarrë projekte serioze në vendin tonë.”
Ajo nënvizoi se prioriteti i qeverisë ka qenë ndërtimi i një sektori energjetik modern, të përshtatur me sfidat e së ardhmes. “Kishim nevojë për partnerë që të na besonin – dhe kjo po ndodh.”
“Sektori i energjisë është sot një nga fushat ku Shqipëria mund të ndiejë krenari të plotë – që nga kuadri ligjor e deri te operimet. Siguria energjetike është një ndër armët më të fuqishme që mund të ketë një shtet.”
Balluku përmendi gjithashtu se aktualisht energjia diellore përbën 10% të prodhimit të energjisë në vend, me synimin për ta çuar këtë shifër në 30% deri në vitin 2030.
“Qëllimi është i qartë: ta bëjmë Shqipërinë eksportuese të energjisë dhe një qendër inovacioni në këtë sektor”, përfundoi Balluku.
/Motilokal.com
