Në Prishtinë ka nisur edicioni i radhës i Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2025”, ku po marrin pjesë mbi 340 kompani nga Kosova, rajoni, Evropa dhe vende të tjera të botës, përfshirë kompani nga Türkiye, të cilat po prezantojnë ofertat e tyre turistike.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, gjatë fjalës së saj theksoi se turizmi në Kosovë ka shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit.
“Vetëm gjatë këtij mandati, nga viti 2021 deri në 2024, kemi një rritje prej 50% të numrit të turistëve, krahasuar me periudhën 2017–2020. Me përkushtimin e Ministrisë, kemi miratuar Strategjinë e Turizmit 2030, e cila synon ta zhvillojë Kosovën si një destinacion të qëndrueshëm dhe konkurrues në rajon”, tha Hajdari.
Ajo shtoi se bashkëpunimet ndërkombëtare dhe organizimi i ngjarjeve promovuese kanë ndikuar në rritjen e dukshme të turizmit dhe në përmirësimin e imazhit të Kosovës. “Bukuritë natyrore të vendit tonë duhet të ruhen për gjeneratat e ardhshme, duke ofruar përvoja mbresëlënëse për turistët e huaj”, theksoi ajo.
Edhe kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, foli për rritjen e interesimit për turizmin në vend.
“Vitin e kaluar e mbyllëm me një rritje prej 36.8% të numrit të turistëve. Nga 60 kompani që kishim në fillim të këtij panairi katër vite më parë, sot kemi mbi 340 pjesëmarrës nga 16 shtete të ndryshme, përfshirë Kanada, Norvegji, Austri e të tjera”, u shpreh Hoti.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se kryeqyteti e sheh turizmin si një sektor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik.
“Për këtë arsye kemi ndarë buxhet për investime në turizëm. Synimi ynë është të krijojmë një mjedis sa më të favorshëm për investime dhe zhvillim në këtë sektor”, deklaroi Rama.
Panairi, i cili organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe nën përkujdesjen e Komunës së Prishtinës, do të jetë i hapur edhe nesër, më 11 prill.
/Motilokal.com
