Kosova pasurohet me një specie të re: Dallëndyshja krahëbardhë e detit

Kosova pasurohet me një specie të re: Dallëndyshja krahëbardhë e detit

Dallëndyshja krahëbardhë e detit (Chlidonias leucopterus) është regjistruar për herë të parë si specie në të dhënat zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ky zbulim i rëndësishëm për biodiversitetin e Kosovës është bërë nga fotografi i njohur i natyrës, Arian Mavriqi, i cili ka arritur ta fotografojë këtë shpend të rrallë në Ligatinën e Hencit, një zonë me rëndësi të veçantë ekologjike në vendin tonë.

Në një njoftim publik, Mavriqi ka treguar se pas identifikimit të shpendit dhe komunikimit të zakonshëm me profesor Qenan Maxhunin, është konfirmuar se kjo specie nuk ishte evidentuar më parë në regjistrat shtetërorë.

“Duke komunikuar si gjithmonë me profesorin Qenan Maxhuni, ai na njoftoi se deri më sot kjo specie nuk ishte e regjistruar në informacionet zyrtare të shtetit”, ka shkruar Mavriqi, duke ndarë me publikun edhe emocionin e këtij zbulimi të veçantë.

Ky moment përbën një hap të rëndësishëm në dokumentimin dhe mbrojtjen e faunës së egër në Kosovë, si dhe një dëshmi e vlefshme për rolin e kontributit qytetar në mbrojtjen e natyrës.


/Motilokal.com