Kërkesa për minerale kritike të përdorura në teknologjinë e pastër do të trefishohet deri në vitin 2040

Kërkesa për minerale kritike të përdorura në teknologjinë e pastër do të trefishohet deri në vitin 2040

Rritja e kërkesës për teknologji të energjisë së pastër për të luftuar ndryshimet klimatike po i jep formë të ardhmes me investime në minerale kritike, kërkesa e të cilave do të trefishohet deri në vitin 2040, sipas raportit Global Critical Minerals Outlook të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Rritja e konkurrencës gjeopolitike bëri që mineralet kritike të bëhen jo vetëm një prioritet ekonomik, por edhe strategjik për ata që kërkojnë të forcojnë pozicionin e tyre në energjinë e gjelbër.

Ndër 4000 mineralet e gjetura në të gjithë globin, disa janë jetike për sektorin e energjisë së pastër, si litiumi, nikeli, kobalti, grafiti, bakri dhe tokat e rralla. Të gjitha këto luajnë role kyçe në transformimin e gjelbër dhe përdoren kryesisht në automjetet elektrike (EV), bateritë, projektet e energjisë së rinovueshme dhe ruajtjen e energjisë.

Furnizimi afatgjatë i mineraleve kritike është çelësi për të garantuar sigurinë e sistemit energjetik.

Raporti i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë tregoi se kërkesa për minerale kritike, duke përfshirë elementët e tokës së rrallë (REE), do të arrijë në rreth 35 milionë tonë në vit deri në vitin 2040.

Investimet në minerale kritike pritet të rriten nga 45 miliardë dollarë në 2023 në 800 miliardë dollarë deri në vitin 2040.

Minierat e bakrit janë ndër mineralet kritike më të spikatura në investime, pasi prodhimi i tij pritet të gjenerojë 490 miliardë dollarë investime deri në vitin 2040, i ndjekur nga nikeli me 160 miliardë dollarë dhe litiumi me 80 miliardë dollarë.

Tranzicioni global drejt energjisë së pastër i ka ngritur mineralet kritike në një pozicion me rëndësi strategjike pasi rritja e kërkesës i vendos vendet prodhuese në pozita më të favorshme, ndërkohë që i shtyn vendet importuese të zhvillojnë kapacitetin e tyre vendas të prodhimit dhe përpunimit.

Vendet gjithnjë e më shumë i drejtohen projekteve të energjisë së pastër me synimin për të arritur emetimet neto zero.

Raporti tregoi se rreth 28.1 milion ton lëndë të parë u gërmuan në mbarë botën në vitin 2023 dhe 32.6 milion ton xehe u përpunuan. Kapaciteti botëror i përpunimit të mineraleve pritet të rritet me 32% në 43.7 milionë tonë deri në vitin 2040.

Rritja më e madhe e kapacitetit pritet te grafiti me 267.2% në 7.5 milionë tonë, i ndjekur nga litiumi me 110% në 370.000 ton dhe REE me 44.7% në 110.000 ton deri në vitin 2040.

Sipas raportit, energjia e pastër do të përbëjë 55.2% të kërkesës globale për minierat e litiumit, nikelit, kobaltit, grafitit dhe bakrit dhe 41% për REE.

/Motilokal.com