Sot shënohet Dita e Tokës – Planeti ynë, përgjegjësia jonë

Sot shënohet Dita e Tokës – Planeti ynë, përgjegjësia jonë

Çfarë është Dita e Tokës?

Çdo vit, miliona njerëz në mbarë botën mblidhen për të shënuar Ditën e Tokës dhe për të festuar lëvizjen mjedisore.

Ngjarja filloi në vitin 1970 në Shtetet e Bashkuara dhe tani shënohet në të gjithë globin.

Dita e Tokës është një ngjarje globale që synon të theksojë rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.

Ajo zhvillohet çdo vit më 22 prill.

U themelua në vitin 1970 nga Gaylord Nelson, senator e ambientalist amerikan dhe Denis Hayes, një student pasuniversitar në Universitetin e Harvardit.

Të dy kishin shqetësime gjithnjë e më të mëdha për dëmet mjedisore në SHBA, përfshirë një derdhje të madhe nafte në vitin 1969 në Santa Barbara, Kaliforni.

Ata e ideuan Ditën e Tokës si një mënyrë për të angazhuar publikun dhe për ta futur çështjen mjedisore në agjendën kombëtare.

Dita e parë e Tokës mobilizoi 20 milionë njerëz nëpër rrugët e SHBA-së.

Në vitin 1990, u shndërrua në një ngjarje ndërkombëtare dhe tani përfshin më shumë se një miliard njerëz të të gjitha moshave në pothuajse 200 vende, sipas organizatorëve.

“Për shumë njerëz, festimi i Ditës së Tokës është veprimi i tyre i parë mjedisor”, tha Kathleen Rogers, presidente e organizatës Earthday.org.

Tema zyrtare për vitin 2025 është: “Fuqia jonë, Planeti ynë”, dhe fokusohet tek energjia e ripërtëritshme.

Ngjarjet e mëparshme kanë trajtuar çështje të ndryshme mjedisore si ndryshimet klimatike, ndotja nga plastika dhe mbrojtja e specieve të rrezikuara.

Këtë vit, organizatorët po bëjnë thirrje që prodhimi i energjisë elektrike nga burime të ripërtëritshme si era dhe dielli, të trefishohet deri në vitin 2030.

Kjo përputhet me një zotim të bërë në konferencën globale për klimën COP28 në vitin 2023, për të trefishuar kapacitetin e energjisë së ripërtëritshme brenda kësaj dekade.

Megjithëse burimet e ripërtëritshme po rriten me shpejtësi, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), ato janë pak jashtë kursit për ta përmbushur këtë premtim.

Në tetor 2024, IEA parashikoi se deri në vitin 2030 do të arrihen rreth 9,800GW, nga më pak se 3,700GW në vitin 2022, ndërsa objektivi i COP28 është 11,000GW.

Rritja më e madhe pritet të vijë nga energjia diellore dhe, në një masë më të vogël, ajo me erë.

Përveç temës zyrtare, Dita e Tokës shoqërohet me aktivitete lokale në mbarë botën, si pastrimi i plazheve, lumenjve dhe hapësirave të tjera publike.

Çfarë ka arritur Dita e Tokës?

Brenda pak vitesh pas Ditës së parë të Tokës në 1970, në SHBA u krijua Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), dhe ligje të rëndësishme si Akti për Ajrin e Pastër u miratuan ose u fuqizuan ndjeshëm.

Ngjarjet e mëvonshme kanë përfshirë mbjelljen e qindra milionë pemëve, mbështetjen e fermerëve për bujqësi të qëndrueshme, si dhe nisma për edukimin klimatik në mbarë botën.

Shumë analistë e vlerësojnë Ditën e Tokës si një moment kyç që ka ndihmuar për ta rikthyer mjedisin në axhendat kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Me aq shumë çështje që e shtyjnë mjedisin në fund të listës së prioriteteve shoqërore, ngjarje si Dita e Tokës na kujtojnë koston afatgjatë të vendimeve afatshkurtra”, tha Yvo de Boer, ish-shefi i klimës në OKB.

Në vitin 2016, Dita e Tokës u zgjodh simbolikisht për nënshkrimin zyrtar të Marrëveshjes së Parisit për klimën marrëveshja historike ku vendet e botës u angazhuan për të kufizuar ngrohjen globale.

Çfarë thonë kritikët për Ditën e Tokës?

Disa kritikë paralajmërojnë se këto arritje mund të krijojnë një ndjenjë të rreme progresi.

Shumë tregues mjedisorë nga temperaturat globale deri te zhdukja e specieve po përkeqësohen me shpejtësi për shkak të veprimtarisë njerëzore. Deri tani, përpjekjet për të ndalur ose kthyer prapa këto trende kanë qenë të pamjaftueshme.

Po ashtu, disa individë dhe kompani janë akuzuar se përdorin Ditën e Tokës për të promovuar imazhin e tyre “të gjelbër” pa bërë ndryshimet reale që nevojiten një praktikë e njohur si "greenwashing" “larja e gjelbër”.

Për shembull, aktivistja Greta Thunberg shkroi në vitin 2022 se Dita e Tokës “është kthyer në një mundësi për njerëzit në pushtet që të postojnë ‘dashurinë’ e tyre për planetin, ndërkohë që e shkatërrojnë atë me shpejtësinë më të madhe”.

“E dimë se greenwashing po ndodh dhe kjo është tejet shqetësuese”, tha Rogers për BBC News.

“Nuk është një problem që ne e kemi shkaktuar, por e dimë që Dita e Tokës po keqpërdoret nga disa biznese për të përfituar nga fryma e qëndrueshmërisë.”

“Ajo që duhet të ndodhë është veprim i vendosur nga qeveritë për të ndëshkuar çdo kompani apo industri që gënjen konsumatorët.”

/Motilokal.com