Bie importi i qeseve plastike, kursime prej miliona eurosh në vit

Bie importi i qeseve plastike, kursime prej miliona eurosh në vit

Që nga vendosja e çmimit prej 5 centësh për qeset plastike, në tetor të vitit 2023, importi i tyre ka pësuar një rënie drastike, kjo sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Atlas përmes grafikëve të detajuar.

Nga afro 1 milion kilogramë të importuara në vitin 2021, kjo sasi ka rënë në vetëm 250 mijë kilogramë deri në vitin 2024. Sipas Atlasit, kjo ulje përkthehet në kursime prej rreth 1 milion eurosh në vit, një dëshmi konkrete se masat fiskale mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e mjedisit.

"Zbatimi i çmimit prej 5 centësh për qeset plastike ka dhënë rezultate të qarta: importi është katërfishuar në ulje. Kjo tregon fuqinë e politikave të mirëmenaxhuara për të frenuar ndotjen", thuhet në njoftimin e institutit.

Instituti Atlas njëherësh ka bërë thirrje për ndalim të plotë të qeseve plastike njëpërdorimshe, si hap i radhës drejt reduktimit të mbetjeve plastike.


Nga ana tjetër, mbetet shqetësuese mungesa e transparencës në lidhje me të dhënat për prodhimin vendor të këtyre qeseve. Sipas ligjit, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit duhej të kishte publikuar këto të dhëna deri më 31 mars, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Kujtojmë se udhëzimi administrativ i miratuar në tetor të vitit të kaluar ndalon një kategori të qeseve plastike dhe vendos pagesë për një kategori tjetër. Qeset që përdoren për fruta e perime, me trashësi nga 0 deri në 25 mikronë, janë të vetmet që lejohen falas. Ndërkohë, ato me trashësi nga 25 deri në 50 mikronë kanë çmim prej 5 centësh.

Po ashtu u rikujtojmë lidhur me këtë temë Motilokal.com ka bërë disa shkrime, lajme dhe kampanja për qeset plastike.

/Motilokal.com