Në kuadër të shënimit të Ditës së Tokës, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka lansuar iniciativën “Raportimi i Gjelbër”, një mekanizëm që u mundëson qytetarëve të raportojnë rastet e krimeve dhe shkeljeve mjedisore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Ministri Liburn Aliu njoftoi për këtë platformë të re, e cila u dedikohet të gjitha rasteve të ndotjes së mjedisit, hedhjes së paligjshme të mbeturinave, ndotjes së ujërave dhe shkeljeve të tjera të cilat trajtohen në përputhje me Ligjin për Kundërvajtje dhe Kodin Penal të Kosovës (Kapitulli XVII, Neni 27).
Raportimi mund të bëhet në mënyrë të thjeshtë dhe anonime përmes numrit pa pagesë 0 800 00013 ose përmes adresës elektronike [email protected].
Sipas ministrisë, të gjitha raportimet do të shqyrtohen nga Departamenti i Mjedisit dhe më pas do t’u përcillen inspektorateve komunale ose lokale për veprim të mëtejshëm, bazuar në kompetencat e tyre. Identiteti i raportuesve do të mbetet i mbrojtur – inspektorëve do t’u dorëzohen vetëm faktet përkatëse.
“Kontributi i secilit prej nesh është thelbësor për mbrojtjen e mjedisit dhe për një të ardhme më të pastër për Kosovën”, theksoi ministri Aliu.
/Motilokal.com
