Mund të na ketë ndodhur shpesh që një mëngjes i ndritshëm dhe me diell gjatë verës të shndërrohet papritur në një pasdite të zymtë me rrebeshe shiu dhe stuhi të forta me vetëtima. Çfarë shkakton një ndryshim kaq të shpejtë të motit?
Reshjet konvektive
Në një ditë me diell, rrezet e shumta të diellit bëjnë që temperatura në sipërfaqen e tokës të rritet. Kjo e ngroh ajrin pranë tokës dhe nxit zhvillimin e rrymave termike ngjitëse (konveksioneve termike). Sa më shumë të ngritët temperatura e tokës, aq më aktive bëhen këto rryma. Nëse atmosfera është e paqëndrueshme, ajri relativisht i ngrohtë dhe i lagësht pranë sipërfaqes së tokës ngjitet lehtë drejt shtresave më të larta të atmosferës, duke formuar re të tipit kumulonimbus.
Në prani të kushteve të tjera të favorshme, siç janë sasia e madhe e lagështirës dhe ndarja e rrjedhjeve të ajrit në lartësi, këto konveksione aktive mund të çojnë edhe në mot të rëndë konvektiv, siç janë stuhitë me vetëtima apo erërat e forta. Këto rrebeshe dhe stuhi të shkaktuara nga temperaturat e larta zakonisht ndodhin në pasdite dhe zhvillohen shumë shpejt, duke bërë që moti të përkeqësohet brenda një kohe të shkurtër.
Megjithatë, reshjet e shiut sjellin me vete ajër më të freskët nga shtresat e sipërme të atmosferës drejt tokës. Si pasojë e uljes së temperaturës së sipërfaqes së tokës, aktiviteti i konveksioneve termike dobësohet dhe retë kumulonimbus fillojnë të shpërbëhen. Më pas, qielli kthjellohet sërish.
/Motilokal.com
