Mbetjet industriale po shndërrohen në shkëmbinj brenda një periudhe që matet me dekada, shumë më shpejt sesa miliona vite sa mendohet të jenë të nevojshme për formimin natyror të shkëmbinjve, ka treguar një studim.
Një kanaçe alumini e prodhuar pas vitit 1989 dhe një monedhë nga viti 1934, të gjetura të ngulitura në një shkëmb në bregun e Cumbria-s, janë ndër objektet që ndihmuan shkencëtarët të kuptojnë se sa shpejt po ndodh ky proces.
Studiuesit dokumentuan një "cikël të ri të shpejtë të formimit të shkëmbinjve antropoklastik", i cili imiton ciklet natyrore të shkëmbinjve, por përfshin materiale të krijuara nga njeriu në periudha kohore të përshpejtuara.
Ata paralajmërojnë se formimi i shpejtë dhe i pakontrolluar i shkëmbinjve përreth deponive të mbetjeve industriale mund të ketë ndikime negative në biodiversitet dhe ekosisteme, si dhe në planifikimin e tokës dhe menaxhimin e bregdetit.
Gjetjet e tyre dolën nga analiza e një brezi dy kilometra të gjatë të mbetjeve të skorjeve në Derwent Howe në Cumbria Perëndimore, ku gjatë shekujve XIX dhe XX funksiononin fonderi hekuri dhe çeliku.
Shtresat e trasha të skorjeve kanë formuar shkëmbinj nga materiali mbeturinor, të cilët gërryen nga dallgët bregdetare dhe batica, dhe ekipi kreu një analizë të detajuar pasi vërejti formacione intriguese dhe të parregullta në shkëmbinj.
Amanda Owen nga Shkolla e Shkencave Gjeografike në Universitetin e Glasgow-t, një nga autoret e studimit, tha: “Për disa qindra vjet kemi kuptuar ciklin e shkëmbinjve si një proces natyror që zgjat mijëra deri në miliona vite.”
Këtu kemi zbuluar se materialet e krijuara nga njeriu po përfshihen në sistemet natyrore dhe po litifikohen po shndërrohen në shkëmbinj brenda një periudhe që matet me dekada,” shtoi ajo.
Testet laboratorike ndihmuan studiuesit të përcaktojnë se materialet e skorjes në Derwent Howe përmbajnë depozita kalciumi, hekuri, magnezi dhe mangani.
Këta elementë janë kimikisht shumë reaktivë, gjë që është kyçe për përshpejtimin e procesit të formimit të shkëmbinjve.
Kur skorja gërryhet nga deti, materiali ekspozohet ndaj ujit të detit dhe ajrit, të cilët ndërveprojnë me elementët reaktivë të skorjes, duke krijuar cimento natyrale, përfshirë kalcitin, goetitin dhe brucitin.
Këto cimento janë të njëjtat materiale që lidhin shkëmbinjtë sedimentarë natyralë, por reagimet kimike bëjnë që procesi të ndodhë shumë më shpejt sesa besohej më parë për materiale të ngjashme në ciklin natyror të shkëmbinjve.
Shkencëtarët gjetën materiale moderne të bllokuara në disa mostra, çka i ndihmoi ata të përcaktojnë sa shpejt zhvillohet ky proces.
John MacDonald, bashkautor i studimit, tha: “Gjetëm edhe një monedhë të Mbretit George V nga viti 1934 dhe një kanaçe alumini me një dizajn që kuptuam se nuk mund të ishte prodhuar para vitit 1989, të ngulitura në material.”
Kjo na jep një kornizë maksimale kohore prej 35 vjetësh për këtë formim shkëmbi, që është brenda kohës së jetës së një njeriu”, shtoi ai.
Shkencëtarët paralajmëruan se ky proces mund të ketë ndikime në ekosisteme dhe theksuan se nevojiten kërkime të mëtejshme.
/Motilokal.com
