Në fillim të marsit të këtij viti, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME), në Kosovë u raportuan rreth 294 zjarre aktive, shumica e të cilave dyshohet të jenë shkaktuar nga faktori njeri. Po ashtu, në fund të prillit, një rrebesh shiu i shpejtë ka shkaktuar vërshime të shpejta në Pejë. Këto ngjarje, që përmbyllin një periudhë të pasigurisë natyrore, na kujtojnë rëndësinë e përgatitjes dhe reagimit ndaj fatkeqësive, si dhe rolin që institucionet dhe qytetarët duhet të luajnë në këtë proces.
Për të diskutuar këto sfida dhe përgatitjet e Kosovës në rastet emergjente, biseduam me Lorik Lipoveci, njohës i emergjencave, që na ofroi një pasqyrë të situatës aktuale dhe masave që duhet të merren për të përballuar këto kërcënime.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Z. Lipoveci, sa e rrezikuar është Kosova nga fatkeqësitë natyrore dhe a ka kapacitetet e duhura për t’u përballur me to?
Kosova, ashtu si çdo vend tjetër, është e rrezikuar nga fatkeqësitë natyrore dhe ato të shkaktuara nga faktori njeri, veçanërisht nga vërshimet dhe zjarret.
Vërshimet e shpejta janë shfaqur shpesh gjatë dekadës së fundit. Ato zakonisht konsiderohen si fatkeqësi natyrore, por në disa raste, mungesa e reagimit të autoriteteve sidomos atyre komunale mund të çojë në situata emergjente, edhe në raste me reshje jo shumë të mëdha. Kjo tregon se përmbytjet dhe vërshimet e shpejta nuk janë gjithmonë të pashmangshme, por shpesh janë të lidhura edhe me menaxhimin jo të duhur.
Kur ka reshje të mëdha, disa zona të Kosovës përmbyten. Sa të përgatitura janë institucionet tona për situata të tilla dhe a janë në gjendje të paralajmërojnë për përmbytje ekstreme?
Kosova është mesatarisht e përgatitur për t’u përballur me reshje të mëdha dhe fatkeqësi natyrore.
Sistemi i Integruar i Emergjencave, i organizuar në tri nivele, ka kapacitete për të përballuar fatkeqësi që ndodhin në një ose disa komuna njëkohësisht. Në rastet kur i gjithë territori i vendit preket nga një fatkeqësi, atëherë, sipas Kushtetutës, duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe të mobilizohen të gjitha forcat dhe kapacitetet shtetërore dhe private për përballimin e situatës.
Çfarë masa konkrete duhet të merren për të parandaluar përmbytjet në të ardhmen?
Masat që duhet të ndërmerren me qëllim të parandalimit të vërshimeve janë: pastrimi i rrjetit publik të pusetave të kanalizimit dhe ujësjellësit në baza të rregullta vjetore, i cili duhet të kryhet nga komunat dhe ndërmarrjet publike përkatëse; pastrimi i shtratit të lumenjve nga Ministria e Ambientit dhe komunat; hapja e kanaleve të reja të shkarkimit të ujërave; respektimi i kornizës ligjore për ndërtim, duke mos lejuar ndërtimin pranë lumenjve, mbi rrjetin e kanalizimit dhe ujësjellësit; inspektimi i urave dhe shtretërve të lumenjve me qëllim eliminimin e pengesave dhe pastrimin nga mbeturinat; ndalimi i shfrytëzimit dhe keqpërdorimit të lumenjve për nxjerrje zhavorri apo materiale të tjera; ndërtimi i rrjetit të kanalizimit në lagjet e reja e në fshatra; si dhe ndërtimi e mirëmbajtja e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza.
Këtë vit, zjarret në pyje kanë nisur më herët se zakonisht. A mendoni se dënimet për zjarrvënie janë ende të buta dhe nuk po japin efektin e duhur në parandalimin e tyre?
Zjarret, në shumicën e rasteve, supozohet të shkaktohen nga faktori njeri dhe klasifikohen si fatkeqësi të tjera me potencial të lartë për shkaktimin e dëmeve materiale dhe njerëzore. Dënimet për shkaktarët janë të parashikuara në radhë të parë me Kodin Penal, por edhe me ligje të tjera përkatëse. Megjithatë, problemi kryesor mbetet zbatimi jo i plotë i këtyre ligjeve.
Për zbatimin efektiv të tyre nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse nga masat administrative të ndërmarra nga inspektoratet, e deri te aplikimi i sanksioneve penale. Duhet të zbatohen gjobat mandatore për të parandaluar rrezikun dhe për të rritur ndërgjegjësimin. Rojtarët e pyjeve duhet të jenë më vigjilentë dhe më të përkushtuar në parandalimin dhe kontrollin e zjarreve.
Në vitet e fundit, stuhitë në Kosovë janë bërë më të shpeshta dhe më të fuqishme. A ka vendi ynë një sistem të mirë për paralajmërimin e hershëm ndaj tyre?
Sistemi i paralajmërimit të hershëm për fatkeqësitë natyrore dhe të tjera është ende në proces ndërtimi dhe nuk është plotësisht funksional. Megjithatë, ekziston një strukturë që zotëron kapacitete fillestare për paralajmërim, por është e nevojshme ndërtimi i kapaciteteve në burime njerëzore që do të koordinojnë, analizojnë dhe reagojnë me shpejtësi. Po ashtu, duhet të krijohet një ndërlidhje funksionale mes institucioneve përkatëse në nivel komunal, rajonal dhe qendror.
Aktualisht, një ndër problemet kryesore është menaxhimi strukturor. Me plotësimin e kuadrit teknik dhe profesional, situata pritet të përmirësohet ndjeshëm. Është e domosdoshme të punësohen mbi 300 zjarrfikës të rinj profesionalë, në përputhje me normat ndërkombëtare të parapara. Duhet të funksionalizohen qendrat emergjente, si Qendra 112 dhe të tjera, duke i pajisur ato me staf profesional si: gjeologë, sizmiologë, oficerë emergjencash, inxhinierë pyjesh, agronomë, ekspertë të emergjencave civile, gjeografë, si dhe inxhinierë ndërtimi dhe hidroteknikë.
Gjithashtu, është e domosdoshme zbatimi i ligjit për mbrojtje kundër zjarrit në çdo ndërtim, me theks të veçantë tek ndërtimet e larta.
Nga këndvështrimi juaj si njohës i emergjencave, a ka Kosova një plan të mirëfilltë për evakuim dhe ndërhyrje në rastet e fatkeqësive të mëdha?
Institucionet komunale dhe qendrore kanë disa plane për reagim ndaj pasojave të situatave emergjente të shkaktuara nga fatkeqësitë, por këto plane ende ndodhen në fazat fillestare. Një projekt i tillë për reagim shtetëror kërkon një angazhim të gjithanshëm, përfshirë edhe pjesëmarrjen vullnetare të qytetarëve, si dhe krijimin e strukturave për mbrojtje dhe shpëtim si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror.
Deri më tani janë bërë pak përparime, por së fundi është krijuar një njësi e zjarrfikësve vullnetarë në Prishtinë, një hap që duhet të pasohet nga të gjitha komunat e tjera. Vlen të përmenden edhe dy shoqatat për kërkim dhe shpëtim, të cilat tashmë janë plotësisht funksionale dhe po japin një kontribut të rëndësishëm. Megjithatë, është e domosdoshme që shoqata të tilla të krijohen në çdo rajon të Kosovës.
Sa të përgatitur janë qytetarët e Kosovës për të reaguar në raste të emergjencave natyrore?
Qytetarët e Kosovës janë shumë pak të përgatitur për të reaguar në situata emergjente. Kjo situatë është shqetësuese dhe kërkon një angazhim të madh, fillimisht nga Agjencia e Mbrojtjes së Emergjencave (AME) dhe nga institucionet e tjera përkatëse, që të përgatisin qytetarët për reagim në situata të tilla. Kjo përfshin organizimin e trajnimeve që nga shkollat fillore, trajnime të organizuara në çdo institucion, kampanja paralajmëruese dhe vetëdijësuese, si dhe organizime vullnetarizmi. Po ashtu, duhet të përmirësohet sistemi i paralajmërimit përmes mjeteve të informimit, paralajmërimeve dhe alarmeve.
Sistemi i alarmimit, qoftë ai mekanik, klasik apo modern, duhet të jetë një prioritet për organet qendrore dhe lokale. Qytetarët duhet të jenë të aftë të reagojnë në mënyrë adekuate për dhënien e ndihmës së parë mjekësore, mbrojtjen nga zjarret, mbrojtjen e elementare nga tërmetet dhe në përgjithësi për situata emergjente të tjera.
/Motilokal.com
