Sot, disa media kanë raportuar se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë një gabim në blerjen e një ilaçi, duke porositur një produkt kundër morrave në vend të atij kundër rriqrave. Lidhur me këto pretendime, AUV ka reaguar me një sqarim zyrtar.
Në reagimin e plotë thuhet:
“Sëmundja Ethet Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK) është një sëmundje zoonotike që transmetohet nga kafshët te njerëzit, me rriqrat si bartës kryesor të virusit. Në raste të caktuara, infektimi mund të çojë edhe në humbje jete.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka zbatuar një projekt ndërqeveritar për parandalimin, kontrollin dhe çrrënjosjen e EHKK-së në komunat endemike si Malisheva, Rahoveci, si dhe në disa fshatra të Klinës dhe Suharekës, përmes trajtimit të kafshëve me preparate repelente në fermat blegtorale.
Preparati i përdorur në këtë fushatë ka qenë 'Deltanil Pour-On', nga kompania Virbac në Francë. Ky është një produkt veterinar i regjistruar zyrtarisht dhe përdoret për luftimin e ektoparazitëve te kafshët, përfshirë rriqrat, morrat dhe mizat.
Substanca aktive, Deltamethrin, vepron si insekticid dhe akaricid, duke siguruar mbrojtje efikase për gjedhët, delet, dhitë dhe, në raste të veçanta, për kuajt. Preparati përmbush standardet e kërkuara për siguri, cilësi dhe kohën e karencës pas përdorimit.
Që nga viti 2013, AUV ka përdorur të njëjtën substancë aktive në të gjitha fushatat për repelimin e kafshëve. Rezultatet e deritanishme tregojnë se në zonat e përfshira nuk është regjistruar asnjë humbje jete nga kjo sëmundje, që vazhdon të jetë nën kontroll.”
/Motilokal.com
