Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për vendosjen e shenjëzimit të njohur si “Kutia e Verdhë”.
Sipas Ramës, këto shenjëzime tashmë janë aplikuar në rrugën “Agim Ramadani”, e cila do të hapet për qarkullim të hënën (sot).
Në njoftimin e publikuar në Facebook, Rama thekson se çdo shkelje e këtij rregulli do të ndëshkohet me gjobë prej 80 eurosh.
“Të gjithë shoferët janë të obliguar që të mos hyjnë në këtë zonë nëse nuk kanë hapësirë të mjaftueshme për të përfunduar kalimin e udhëkryqit! Të shmangin çdo ndalim brenda kësaj zone, me qëllim të mos bllokohet trafiku! Shkelësit e këtij rregulli do të ndëshkohen me gjoba deri në 80 euro”, ka thënë ai.
Për shkak të punimeve, rruga 'Agim Ramadani' ka qenë e mbyllur për qarkullim tash e dy ditë.
/Motilokal.com
