Rama: Keqmenaxhimi e çoi “Pastrimin” drejt falimentimit – nuk do të lejoj që Prishtina të mbulohet nga mbeturinat

Rama: Keqmenaxhimi e çoi “Pastrimin” drejt falimentimit – nuk do të lejoj që Prishtina të mbulohet nga mbeturinat

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar ashpër menaxhimin e “KRM Pastrimi”: Ndërmarrja është në prag të falimentimit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj menaxhimit të ndërmarrjes publike “KRM Pastrimi”, e cila po përballet me një krizë të thellë financiare.

Sipas Ramës, kjo ndërmarrje përgjegjëse për mbajtjen e qytetit të pastër – është futur në krizë për shkak të “paaftësisë dhe papërgjegjësisë” së menaxhmentit aktual.

“'Pastrimi' është në prag të falimentimit për shkak të keqmenaxhimit. Një ndërmarrje që duhet ta mbajë qytetin të pastër, është shndërruar në barrë për shkak të dështimit të menaxhmentit,” u shpreh Rama në një video-deklaratë.

Ai paralajmëroi se situata është bërë tejet e rrezikshme: rrezikohen pagat e punëtorëve dhe ekziston mundësia e mbylljes së deponisë, çka do të kishte pasoja të rënda për qytetin.

Rama shprehu shqetësimin se qytetarët tashmë po i ndjejnë përditë pasojat e këtij keqmenaxhimi.

“Rrezikohen pagat e punëtorëve, deponia mund të mbyllet, dhe qyteti çdo ditë e më shumë po ndjen pasojat. Punëtorët nuk janë fajtorë, fajin e kanë ata që kanë marrë paga të majme, por nuk kanë ditur e as dashur ta udhëheqin siç duhet ndërmarrjen”, theksoi ai, duke akuzuar menaxhmentin për shpërdorim të burimeve.

Kryetari i Komunës e quajti të papranueshme që njerëzit që kanë injoruar borxhet dhe problemet financiare të vazhdojnë të mbajnë pozita drejtuese.

Ai bëri të qartë se nuk do të lejojë që kryeqyteti të mbulohet nga mbeturinat për shkak të paaftësisë së menaxhimit aktual.

“Unë nuk do të lejoj që Prishtina të mbulohet nga mbeturinat për shkak të këtij keqmenaxhimi”, tha ai me vendosmëri.

Për të parandaluar përkeqësimin e situatës, Rama njoftoi se më 6 maj do të kërkojë ndihmë emergjente financiare në Kuvendin Komunal, jo për të shpëtuar menaxhmentin, por për të mbrojtur punëtorët dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

“Më 6 maj do të kërkoj në Kuvendin Komunal ndihmë emergjente financiare për të mbrojtur punëtorët dhe shërbimet e qytetarëve jo për të shpëtuar menaxhmentin që e ka çuar këtë kompani në kolaps”, përfundoi ai.

Rama përmbylli deklaratën me një thirrje të qartë: “Nuk do të bëhemi bashkëfajtorë në këtë keqmenaxhim.”


/Motilokal.com