Gjatë muajve të verës, veçanërisht gjatë pushimeve, ekspozimi ynë ndaj diellit rritet ndjeshëm. Si pasojë, trupi ynë qëndron për orë të tëra nën rrezet e diellit, duke u ekspozuar ndaj rrezatimit ultravjollcë që mund të dëmtojë lëkurën.
Ekspozimi i tepërt në diell nxit stresin oksidativ në organizëm, çka mund të çojë në dëmtime të lëkurës. Megjithatë, studimet shkencore tregojnë se disa ushqime të pasura me antioksidantë mund të ndihmojnë në mbrojtjen nga këto efekte të dëmshme.
Sipas Organizatës Qendrore të Tregjeve dhe Peshkimit, një nga ushqimet më të rëndësishme për mbrojtjen nga dielli është domatja dhe sidomos salca e domates. Domatet përmbajnë likopen, një substancë me efekt të fuqishëm antioksidues, që kontribuon në reduktimin e dëmeve nga rrezatimi diellor. Likopeni gjendet gjithashtu edhe në fruta të tjera me ngjyrë të kuqe si shalqiri dhe grejpfruti.
Gjithashtu, është e rëndësishme të konsumohen fruta dhe perime me ngjyra të verdha dhe portokalli, si karota, kajsitë, patatja e ëmbël dhe misri. Këto ushqime janë të pasura me karotenoide, përbërës që kanë një efekt të njohur “fotoprotektiv” dhe ndihmojnë në ruajtjen e funksioneve normale të lëkurës përballë rrezeve UV.
/Motilokal.com
