Autoritetet në Arabinë Saudite, Kuvajt dhe Jordani kanë aktivizuar protokollet e emergjencës, pasi një stuhi masive pluhuri ka përfshirë disa zona të mëdha, duke shkaktuar ndërprerje dhe shqetësime të mëdha për qytetarët.
Të dielën, një ‘mur pluhuri’ përfshiu provincën Al Qassim në qendër të Arabisë Saudite, duke errësuar qiellin, bllokuar rrezet e diellit dhe krijuar një mjedis të pasigurt për banorët. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një peizazh dramatik, ku ngjyra portokalli dominoi horizontin dhe dukshmëria u reduktua në minimum.
Dëshmitarët krahasuan skenën me një film apokaliptik, duke përshkruar errësirën e dendur dhe pemët që binin njëra pas tjetrës nga fuqia e erërave. “Ishte sikur dikush kishte fikur dritat,” shkruajti një banor në rrjetet sociale. Një tjetër raportoi se rrugët janë ende të zbrazëta dhe njerëzit qëndrojnë të mbyllur në shtëpi, pasi stuhia nuk po jep shenja të tërheqjes.
Për shkak të kushteve ekstreme të motit, janë dhënë alarme të kuqe në të tria vendet, ndërsa rajoni po përballet me rreziqe të shumta, përfshirë stuhi të tjera, përmbytje, reshje breshri dhe erëra të fuqishme që mund të zgjasin për disa ditë.
Qendra Kombëtare e Meteorologjisë në Arabinë Saudite u ka bërë thirrje qytetarëve që të kufizojnë lëvizjet dhe të shmangin zonat e hapura deri në përmirësimin e kushteve.
Stuhia ka shkaktuar gjithashtu vonesa dhe devijime në udhëtime ajrore. Dy fluturime nga Egjipti drejt Kuvajtit janë detyruar të devijojnë në aeroportin e Dammamit. Ndërkohë, autoritetet portuale të Kuvajtit mbyllën përkohësisht portet Shuwaik dhe Shuaiba për të garantuar sigurinë e stafit dhe infrastrukturës. Operacionet janë rifilluar të hënën në mëngjes.
Në momentin kur stuhia goditi, mbi 1.700 vizitorë ndodheshin në një sit arkeologjik ku u ndërmorën menjëherë masa emergjente për t’i mbrojtur.
/Motilokal.com
