Sezoni i rriqrave ka filluar. Edhe pse shpesh nuk vihen re, rriqrat mund të transmetojnë sëmundje të rënda infektive që mund të kenë pasoja afatgjata shëndetësore. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të dini si të mbroheni dhe të reagoni siç duhet nëse bini në kontakt me ta.
Së pari, përpara se të dilni në natyrë, sigurohuni që të aplikoni një krem që mbron nga rriqrat. Këta agjentë parandalojnë në mënyrë efektive kafshimet. Pasi të kaloni kohë jashtë, rekomandohet të bëni dush dhe të ekzaminoni me kujdes të gjithë trupin, me theks të veçantë në zonat që janë më të prirura ndaj lagështirës siç janë sqetullat, ijët, barku dhe pas veshëve.
Nëse vini re një rriqër të ngjitur në lëkurën tuaj, hiqeni menjëherë. Për këtë procedurë, do të përdorni piskatore, mundësisht ato të destinuara për heqjen e rriqrave, të cilat mund t’i blini në farmaci. Me piskatore, duhet ta kapni butësisht rriqrën sa më thellë të jetë e mundur përgjatë skajit të lëkurës, sa më afër kokës së saj të jetë e mundur. Pastaj, rrotulloni piskatoren në kah të kundërt të akrepave të orës për ta hequr plotësisht.
Pas heqjes së rriqrës, është shumë e rëndësishme të dezinfektohet vendi i pickimit dhe më pas të vendoset një flaster në të. Rekomandohet të monitorohet çdo ndryshim në lëkurë, siç është skuqja, ënjtja ose simptoma të tjera që mund të tregojnë infeksion.
Nëse vini re ndonjë ndryshim të pazakontë, kontaktoni menjëherë mjekun tuaj. Reagimi i shpejtë dhe mbrojtja e duhur mund të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të transmetuara nga rriqrat. Metoda të tjera për heqjen e rriqrave, të tilla si djegia, shtypja ose aplikimi i vajrave dhe yndyrave, nuk rekomandohen sepse janë joefektive dhe mund të jenë të rrezikshme.
/Motilokal.com
