Komisioni Evropian ka propozuar krijimin e një baze të përbashkët të dhënash për kilometrat e përshkuara nga automjetet, të regjistruara gjatë kontrolleve teknike periodike. Kjo bazë do të ndahej mes të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, si një mjet për të luftuar manipulimet me kilometrat dhe mashtrimet në tregun e automjeteve të përdorura.
Propozimi është pjesë e një pakete të re masash që synojnë përmirësimin e sigurisë rrugore, uljen e ndotjes nga trafiku dhe parandalimin e abuzimeve që lidhen me automjetet.
Ndër masat e propozuara është edhe krijimi i një regjistri evropian për kilometrat e përshkuara, i cili do të mundësonte ndjekjen e saktë të historikut të një makine, pavarësisht se në cilin vend të BE-së është përdorur. Qëllimi është të ndalet manipulimi me kilometrazhin dhe “rinimi” i rremë i automjeteve që më pas shiten me çmime të fryra.
Disa shtete anëtare, si Belgjika, tashmë kanë sisteme funksionale. Modeli belg “Car-Pass” detyron shitësin e një makine të përdorur të dorëzojë dokumentin me kilometrat e regjistruar në çdo kontroll teknik. Edhe në Francë, të dhënat mbi kilometrat regjistrohen në mënyrë sistematike, edhe pse dorëzimi i tyre te blerësi mbetet jo i detyrueshëm.
Ndjekja e historikut të një automjeti importuar shpesh është e vështirë. Prandaj, Komisioni synon që sistemet kombëtare të lidhen në një platformë evropiane, duke lejuar që të dhënat të jenë të qasshme për autoritetet dhe, ndoshta, edhe për blerësit në të gjitha 27 shtetet anëtare.
Sipas propozimit, çdo vend anëtar do të detyrohej të regjistrojë kilometrat e çdo automjeti në një bazë të dhënash kombëtare gjatë çdo kontrolli teknik. Më pas, këto të dhëna do të transferoheshin në një bazë të përbashkët evropiane sa herë që automjeti regjistrohet.
Lufta kundër manipulimeve me kilometrat është thelbësore për mbrojtjen e konsumatorëve dhe për sigurimin e një konkurrence të ndershme në tregun e automjeteve të përdorura. Propozimi, si gjithë të tjerët në këtë paketë, do t’i nënshtrohet procedurave legjislative në Parlamentin Evropian dhe në Këshill.
/Motilokal.com
