Borë në maj! Ja ku dhe kur pritet të bjerë

Borë në maj! Ja ku dhe kur pritet të bjerë

Edhe pse ndodhemi në zemër të pranverës, kjo javë pritet të sjellë mot të paqëndrueshëm dhe të luhatshëm. Nuk do të mungojnë ditët me kushte të mira dhe relativisht stabile, por as ditët e freskëta, me reshje shiu, madje në zonat malore pritet edhe borë.

Sipas parashikimeve të Motilokal.com, të premten pritet të ketë reshje bore në viset malore të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kjo javë ka nisur me vranësira të herëpashershme dhe intervale me diell. Fillimi do të jetë i freskët në mëngjes, ndërsa në orët e mesditës do të ndjehet më ngrohtë. Në orët e pasdites parashihen rrebeshe të izoluara shiu në disa zona të Kosovës, Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, të shoqëruara me vetëtima dhe bubullima. Temperaturat do të sillen rreth mesatares për këtë periudhë, në disa raste pak nën të.

Pavarësisht ndryshueshmërisë së motit, pranvera mbetet një stinë e gjallë dhe dinamike. Pas reshjeve, nuk do të mungojnë ditët me diell dhe ngrohtësi, të cilat do të sjellin pak më shumë lehtësi dhe optimizëm në ditët në vazhdim.

/Motilokal.com