Shkencëtarët në Universitetin e Sidneit kanë kryer një studim "të parë në botë" bazuar në teste që përfshijnë studentë dhe kanë zbuluar se ushqimet e pasura me yndyrë dhe sheqer kanë një efekt të dëmshëm në disa aspekte të funksionit njohës, veçanërisht në ndërgjegjësimin hapësinor dhe aftësitë e navigimit hapësinor.
Të rinjtë që konsumonin shpesh ushqime me shumë yndyrë dhe sheqer ishin më pak të aftë të mbanin mend vendndodhjen e një arke thesari në një labirint virtual, sipas një studimi të publikuar nga shkencëtarët në International Journal of Obezity.
Ata tregojnë "efektin negativ" të konsumit të ushqimit të shpejtë në të nxënë dhe kujtesë që lidhen me mjedisin hapësinor, ndërsa në të njëjtën kohë konfirmojnë atë që ne tashmë e dimë rëndësinë e bërjes së zgjedhjeve të shëndetshme dietike kur bëhet fjalë për shëndetin njohës.
Hulumtimet e mëparshme kanë zbuluar se konsumimi i tepërt i yndyrës dhe sheqerit jo vetëm që kontribuon në zhvillimin e diabetit, obezitetit dhe sëmundjeve të zemrës, por është gjithashtu i lidhur me shkallë më të shpejtë të rënies njohëse të shoqëruar me plakjen tek të rriturit e moshës së mesme dhe të moshuar, raportoi ekipi në punimin e tyre.
Edhe pse studiuesit australianë kanë zbuluar se të rinjtë nuk janë të përjashtuar nga efektet negative të konsumimit të ushqimeve të përpunuara dhe të pashëndetshme, lajmi i mirë është se truri i tyre ndoshta nuk preket në tërësi, por vetëm hipokampusi, pjesa e trurit që kontrollon kujtesën dhe ndihmon me navigimin hapësinor.
Një nga shkencëtarët që punoi në studim, Dominic Tran, thekson se lajmi i mirë është se ndryshimet në dietë mund të përmirësojnë shëndetin e hipokampusit dhe, si rrjedhojë, aftësinë tonë për të lundruar në mjedisin tonë, si kur eksplorojmë një qytet të ri ose përpiqemi të kujtojmë një rrugë të re për në shtëpi.
/Motilokal.com
