Hulumtime të reja kanë treguar se 28 nga qytetet më të populluara në SHBA, përfshirë Nju Jorkun, Çikagon, Dallasin dhe Denverin, po fundosen midis dy dhe 10 milimetra në vit.
Duke përdorur matjet e radarit satelitor, një ekip studiuesish nga Instituti Politeknik i Virxhinias dhe Universiteti Shtetëror zhvilluan harta me rezolucion të lartë që tregojnë fundosjen e tokës në qytetet kryesore të SHBA-së. Në secilin prej 28 qyteteve të studiuara, të paktën 20 për qind e qytetit po fundosej, dhe në 25 qytete të paktën 65 për qind.
Qytetet në Teksas po tregojnë normat më të larta të fundosjes së dheut, me Hjustonin që kryeson. Atje, rreth 40 për qind e qytetit fundoset më shumë se pesë milimetra në vit, ndërsa 12 për qind e qytetit fundoset 10 milimetra çdo vit.
Rënia e tokës nuk është e pazakontë në të gjithë botën, pasi shumë zona zhyten për shkak të proceseve natyrore gjeologjike, megjithatë, një ekip nga Virginia Tech arriti në përfundimin se 80 për qind e rrëshqitjes së tokës në zonat urbane në SHBA shkaktohet nga heqja e ujërave nëntokësore për përdorim nga njeriu. Ndërsa qytetet rriten, ky problem mund të përkeqësohet edhe më shumë.

Ndërsa fundosja përbën një rrezik për qytetet bregdetare, të cilat kërcënohen gjithashtu nga rritja e nivelit të detit e përkeqësuar nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, ajo kërcënon gjithashtu qytetet në brendësi të tokës duke i bërë ato më të prirura ndaj përmbytjeve. Përveç kësaj, fundosja e pabarabartë e tokës në qytet mund të destabilizojë ndërtesat dhe infrastrukturën.
“Natyra latente e këtij rreziku do të thotë që infrastruktura mund të kompromentohet ‘në heshtje’ me kalimin e kohës, me dëme që bëhen të dukshme vetëm kur janë të rënda ose potencialisht katastrofike”, tha Manoochehr Shirzaei, një profesor i asociuar në Laboratorin e Vëzhgimit të Tokës dhe Inovacionit të Virginia Tech.
Edhe pse nuk mund ta ndalojmë plotësisht fundosjen e tokës poshtë zonave urbane, ne prapëseprapë mund të punojmë për ta zbutur atë. Sipas hulumtimit, hapat e mundshëm që duhen ndërmarrë përfshijnë përmirësimin e monitorimit të fundosjeve, ndryshimet në politikat e menaxhimit të ujërave nëntokësore dhe planifikimin e qëndrueshmërisë së infrastrukturës.
/Motilokal.com
