
Pamjet alarmante nga rrugët e Prishtinës tregojnë një realitet të hidhur, kontejnerë të mbushur përplot, mbeturina që mbulojnë trotuaret dhe erë e rëndë që përhapet kudo. Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” SH.A. ka pezulluar tërësisht shërbimin e grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës për shkak të një borxhi prej 2.7 milionë euro nga vetë komuna.
Në njoftimin e saj zyrtar, kompania shpreh keqardhje për vendimin drastik, por thekson se mungesa e pagesës nga institucionet komunale e ka bërë të pamundur vazhdimin e punës.
“Për shkak të mospagesës së borxhit nga Komuna e Prishtinës në vlerë prej 2.7 milionë euro, jemi të detyruar të ndërpresim ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave”, thuhet në njoftim.
Ndërprerja ka shkaktuar një kolaps të vërtetë në sistemin e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet. Qytetarët janë të shqetësuar për përkeqësimin e kushteve higjienike, përhapjen e insekteve dhe rrezikun nga sëmundjet infektive.
Kryeqyteti po mban frymën në mes të plehrave, një borxh i papaguar po kthen Prishtinën në një deponi urbane. Heshtja e institucioneve, ndërsa qyteti fundoset në papastërti, është po aq e rëndë sa vetë era që ka mbuluar rrugët.
/Motilokal.com