Qyteti më i gjelbër në Evropë: Më shumë pemë se banorë

Qyteti më i gjelbër në Evropë: Më shumë pemë se banorë

Në zemër të Yorkshirit kodrinor shtrihet Sheffieldi, qyteti që dikur njihej për çelikun, por sot lavdërohet për gjelbërimin.

I ndërtuar rreth lumit Sheaf, Sheffieldi mori emrin pikërisht prej tij. Gjatë Revolucionit Industrial, ai u shndërrua në një qendër të rëndësishme prodhimi dhe fitoi nofkën “Qyteti i Çelikut”, falë industrisë së fuqishme të përpunimit të metalit dhe prodhimit të thikave dhe takëmeve.

Por sot, Sheffield nuk njihet më për fabrikat e tij, por për pemët. Me rreth 4.5 milion pemë, apo nëntë herë më shumë sesa banorë, ky qytet anglez konsiderohet si qyteti me më shumë pemë për person në gjithë Evropën. Më shumë se 60% e sipërfaqes së tij është e mbuluar nga parqe, pyje dhe kopshte, përfshirë edhe një të tretën e Parkut Kombëtar të Distriktit Peak.

Lagjet e Sheffieldit janë të shpërndara në shtatë kodra që rrethojnë qendrën e vendosur në një luginë. Qyteti përshkohet nga lumi Don dhe katër degët e tij Sheaf, Rivelin, Locksley dhe Porter Brook, të cilët dikur ushqenin me energji qindra mullinj që nga shekulli i 12-të, duke e nxitur zhvillimin industrial.

Nga protestat te Partneriteti i Pemëve

Ky transformim i jashtëzakonshëm filloi me një krizë: pak më shumë se një dekadë më parë, autoritetet filluan të prisnin pemë të shumta të shëndetshme në kuadër të një kontrate të debatueshme. Kjo shkaktoi një reagim të ashpër nga banorët, të cilët organizuan protesta dhe qëndresë të vazhdueshme.

Nga ky rebelim qytetar lindi iniciativa “Partneriteti i Pemëve të Rrugës Sheffield”, e cila më vonë u bë shtylla e gjelbërimit të qytetit. Banorët pohuan se përpjekjet për të mbrojtur pemët i bënë të lidhen më fort me natyrën dhe të angazhohen për një ambient më të pastër.

Ambicie për një të ardhme të qëndrueshme

Sot, Sheffield është jo vetëm simbol i një qyteti të gjelbër, por edhe një model për tranzicionin urban drejt qëndrueshmërisë. Autoritetet kanë vendosur objektiva ambiciozë, siç është reduktimi i emetimeve të karbonit në zero deri në vitin 2025.

Nga “Qyteti i Çelikut” në kampion evropian të gjelbërimit, Sheffieldi dëshmon se fuqia e qytetarëve mund të ndryshojë rrjedhën e një qyteti dhe t’ia kthejë natyrën që njëherë e kishte humbur.

/Motilokal.com