
Lee Zeldin, drejtori i Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), ka shkaktuar polemika pasi njoftoi synimin për të eliminuar stimujt federalë për përdorimin e sistemeve start-stop në automjete.
Në një postim në platformën X, Zeldin e përshkroi këtë teknologji si "ajo që e fik veturën tuaj në çdo semafor të kuq, vetëm që kompanitë të marrin një trofe klimatik për pjesëmarrjen." Ai shtoi: “EPA e miratoi atë dhe të gjithë e urrejnë, kështu që po e rregullojmë.”
Çfarë është teknologjia start-stop?
Sistemi automatik start-stop është një teknologji që ndalon përkohësisht motorin kur automjeti ndalet për shembull në semaforë apo në bllokime trafiku dhe e rinis kur drejtuesi shtyp gazin. Synimi kryesor i këtij sistemi është të zvogëlojë konsumin e karburantit dhe emetimet ndotëse.
Efikasiteti i këtij sistemi varet nga mënyra dhe kushtet e drejtimit. Sipas Consumer Reports, nëse automjeti përdoret kryesisht në autostrada, ku ndalesat janë të rralla, teknologjia ka ndikim minimal. Por në rrugët urbane, me ndalesa të shpeshta, kursimet mund të jenë të konsiderueshme nga 7.27% deri në 26.4%, sipas të dhënave nga Shoqata e Inxhinierëve të Automobilave (SAE).
Evolucioni dhe përdorimi i teknologjisë
Teknologjia është bërë gjithnjë e më e zakonshme në SHBA pas miratimit të rregulloreve për kursimin e karburantit dhe uljen e emetimeve gjatë administratës Obama. Ndërkohë, prodhuesit evropianë e kanë përfshirë atë në automjetet hibride që më shumë se një dekadë më parë, dhe tani ajo është standard në shumë modele të reja.
Reagimet ndaj njoftimit të Zeldin
Deklarata e Zeldin ka shkaktuar reagime të ndara. Kritikët paralajmërojnë se heqja e stimujve për sistemin start-stop mund të dëmtojë përpjekjet për uljen e gazrave serrë dhe luftimin e ndryshimeve klimatike. Nga ana tjetër, mbështetësit argumentojnë se teknologjia nuk është e pëlqyer nga shumë shoferë dhe se përfitimet e saj varen nga rrethanat e përdorimit.
EPA nuk ka dhënë ende detaje të plota se si do të zbatohet masa, por tema pritet të vazhdojë të jetë objekt debati në muajt në vijim.
/Motilokal.com