Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka deklaruar se peshku që shitet në tregun e Kosovës është i sigurt për konsum.
Në një njoftim të publikuar në Facebook, AUV ka bërë të ditur se disa produkte të peshkut i nënshtrohen një trajtimi të veçantë për të eliminuar parazitët e mundshëm që mund të paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve.
“Pika D e Kapitullit III, Seksioni VIII, Shtojca III e Rregullores (KE) Nr. 853/2004 përmban një kërkesë që disa produkte peshku t’i nënshtrohen një trajtimi të mjaftueshëm për të asgjësuar parazitët e mundshëm që mund të jenë të rrezikshëm për konsumatorët.”
Ky rregullim zbatohet për produktet e peshkut që konsumohen të papërpunuara, si dhe për ato që nuk i janë nënshtruar ose nuk pritet t’i nënshtrohen një trajtimi të mjaftueshëm për eliminimin e parazitëve para konsumimit. Parazitët që përbëjnë rrezik për shëndetin e konsumatorëve përfshijnë:
1. Larvat e nematodave, kryesisht të specieve Anisakis dhe Pseudoterranova decipiens
2. Larvat (plerocerkoidet) e cestodëve Diphyllobothrium
3. Larvat (metacerkaritë) e trematodave
Gjithashtu, AUV sqaron se ngarkesat me peshk që vijnë nga SHBA-ja, Kanadaja, Spanja, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut importohen të ngrira në temperatura nën -18°C dhe shoqërohen me certifikata shëndetësore të lëshuara nga autoritetet përkatëse të atyre vendeve.
“Lloji i peshkut Merlucius (i njohur si ‘hake’), i cili gjendet në tregun e Kosovës dhe për të cilin bëhet fjalë, jo vetëm që është i ngrirë, por i përket kategorisë që përdoret për gatim me trajtim termik (dmth. për t’u gatuar), dhe jo për konsum të freskët apo të shkrirë në specialitete si ‘krudo’ apo ‘sushi’. Prandaj, ai nuk mund të dalë në treg nëse përmban parazitë,” thuhet në deklaratën e AUV-it.
/Motilokal.com
