Përfundoi me sukses në Tiranë Samiti i FII PRIORITY Europe 2025

Përfundoi me sukses në Tiranë Samiti i FII PRIORITY Europe 2025

Instituti i Iniciativës për Investime në të Ardhmen FII PRIORITY për Evropën për dy ditë mbajti të hapur dyert në Tiranë, duke mbledhur së bashku 600 investitorë globalë, udhëheqës politikë dhe inovatorë. Eventi dy-ditor u përqendrua në lidhjen e inovacionit evropian me kapitalin global.

Në këtë samit ishte i pranishëm edhe Presidenti francez Emmanuel Macron që shpalli fillimin e një “faze të re të udhëtimit të Evropës”, duke kërkuar integrim më të thellë të tregut të vetëm, rregullim më të efektshëm dhe investime të përshpejtuara në teknologjinë e gjelbër, inteligjencën artificiale dhe mbrojtjen.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi shfaqjen e Shqipërisë si një destinacion dinamik investimi dhe një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit. “Shqipëria është mike e mirë me shumë njerëz. Ne jemi partnerë strategjikë të BE-së dhe SHBA-së, dhe partnerë të ngushtë të Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe vendeve të tjera të Gjirit”, tha ai, duke theksuar hapjen dhe përshtatshmërinë si pika të forta kombëtare.

Ndërkaq, Yasir Al-Rumayyan, Guvernatori i Fondit të Investimeve Publike (PIF) të Arabisë Saudite, riafirmoi rolin qendror të Evropës në strategjinë globale të investimeve: “PIF ka investuar gati 85 miliardë dollarë në Evropë që nga viti 2024 - një shifër që pritet të dyfishohet në 170 miliardë dollarë deri në vitin 2030. Parashikueshmëria dhe qartësia rregullatore janë çelësi i angazhimeve afatgjata.”

Një sesion i spikatur Bordi i Ndryshuesve mblodhi së bashku senatorin Matteo Renzi, Bernard Mensah, Mohamed Alabbar, profesoren Adah AlMutairi dhe Henri Poupart-Lafarge për të trajtuar pyetjen: A mund ta lidhë kapitali një botë të përçarë? Paneli bëri thirrje për veprime të guximshme kundër rregullimit të tepërt, zhvillimit të talenteve dhe rishpikjes së sistemeve arsimore për t'u përshtatur më mirë me tregjet e ardhshme të punës.

Në një bisedë të fuqishme mbi natyrën në zhvillim të ndikimit, Linda Rama, bashkëshortja e Kryeministrit, iu bashkua Cécilia Attias për të eksploruar rolin e transparencës dhe profesionalizmit në lidership. “Kur i afrohesh vërtet të rinjve, zbulon tek ata një fuqi që ne nuk e kemi”, reflektoi Linda Rama.

Penny Richards, Drejtore Ekzekutive e Institutit FII, e përmblodhi tonin e samitit: “Dëgjuam një mesazh të qartë - ndryshimi nuk është më opsional. Evropa është gati të ripërcaktojë rolin e saj global me energji dhe qëllim të ripërtërirë.”

Ndër pjesëmarrësit nga Kosova ishin Besart Gerguri - Bashkëpronar në Trokit dhe Ardian Hoxha - President Keiretsu Forum Southeast Europe.

Samiti u mbyll me një dialog me vizion Evropa e Vjetër, Zëra të Rinj të kryesuar nga Richard Attias, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Institutit FII. Duke paraqitur njohuri nga raporti i fundit i Institutit për të Ardhmen e Punës, sesioni bëri thirrje për reforma urgjente në arsim dhe përfshirjen e zërave të të rinjve në politika dhe investime. Siç deklaroi investitorja engjëll Elsa Hyland: “Na përfshini në bisedë ne e dimë se çfarë po ndodh në terren.”

Samiti trajtoi tema si fragmentimi gjeoekonomik, siguria energjetike, sovraniteti në AI, zinxhirët e furnizimit dhe potenciali i turizmit në Ballkan. Gjithashtu, u prezantua një raport mbi të ardhmen e punës, duke theksuar rolin e gjeneratës së re në përdorimin e inteligjencës artificiale për të riformuar produktivitetin dhe inovacionin.

Ky samit shënoi një moment historik për Shqipërinë, duke e vendosur atë si një aktor të rëndësishëm në hartën ekonomike dhe politike të Evropës.