Ndryshimet klimatike janë duke u bërë gjithnjë e më të dukshme në jetën e përditshme të fermerëve në Kosovë, ku sektori i bujqësisë po përballet me sfida gjithnjë më të mëdha për shkak të ekstremeve të motit. Ndër faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimin bujqësor janë reshjet intensive të shiut dhe periudhat e zgjatura pa reshje, dy fenomene të cilat, ndonëse të kundërta në natyrë, sjellin pasoja të rënda për kulturat bujqësore, e sidomos për pemëtarinë. Reshjet e dendura mund të shkaktojnë përmbytje, erozion të tokës, zhvillim të sëmundjeve, ndërkohë që periudhat e gjata të thatësirës ndikojnë negativisht në rritjen, cilësinë dhe rendimentin e frutave. Këto fenomene, të përkeqësuara edhe nga mungesa e infrastrukturës për menaxhimin e ujit dhe sistemi të qëndrueshëm të ujitjes, po i vënë fermerët përballë një realiteti të ri që kërkon qasje më të organizuar, planifikim afatgjatë dhe investime në teknologji moderne. Në këtë intervistë me agronomin e njohur prof.dr. Kujtim Lepaja, flasim më në detaje për ndikimet e këtyre dukurive ekstreme në pemëtari dhe mënyrat se si mund të zbuten pasojat, përmes eksperiencës së drejtpërdrejtë dhe vëzhgimeve në terren.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
A mund të na tregoni sa i ndjeshëm është sektori i bujqësisë ndaj reshjeve intensive dhe periudhave të gjata pa reshje?
Sektori i bujqësisë në Kosovë, dhe veçanërisht ai i pemëtarisë, është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike dhe ekstremeve të motit, siç janë reshjet intensive apo periudhat e zgjatura të thatësirës. Kjo ndjeshmëri vjen si rezultat i varësisë së madhe që kanë kulturat bujqësore nga kushtet natyrore, dhe pamundësisë për të kontrolluar faktorët mjedisorë në prodhim të hapur. Reshjet e mëdha të shiut shkaktojnë probleme serioze si përmbytje, shkarje dhe erozion të tokës, dëmtim të rrënjëve e rritje të rrezikut për sëmundje kërpudhore, sidomos në kulturat pemëtare ku lagështia e tepërt krijon kushte të favorshme për zhvillimin e sëmundjeve.
Nga ana tjetër, periudhat e gjata pa reshje, sidomos gjatë fazave të ndjeshme të zhvillimit të frutave, sjellin pasoja të konsiderueshme në rendiment dhe cilësi. Frutat mund të zhvillohen të vegjël, të dehidratuar dhe me vlera të ulëta ushqyese dhe tregtare. Po ashtu, thatësira e gjatë e dëmton strukturën e tokës dhe i ngadalëson proceset fiziologjike të bimës, duke çuar në stres të fortë për pemën.
Këto efekte përkeqësohen edhe më shumë nga mungesa e infrastrukturës adekuate për menaxhimin e ujit, si rezervuarë, sisteme të sofistikuara të ujitjes dhe rrjete drenazhi.
Çfarë ndikimi kanë reshjet e mëdha të shiut në fazat e ndryshme të zhvillimit të kulturave bujqësore?
Në pemëtari, reshjet e mëdha ndikojnë negativisht në çdo fazë të zhvillimit. Gjatë lulëzimit, ato pengojnë polenizimin dhe shkaktojnë rënie të frutave. Gjatë rritjes, uji i tepërt dëmton rrënjët, ul përthithjen e lëndëve ushqyese dhe favorizon sëmundjet kërpudhore. Para vjeljes, frutat mund të çahen, kalben dhe humbin cilësinë, duke bërë që të mos jenë të përshtatshme për treg.
Cilat janë problemet më të zakonshme që hasin fermerët pas një periudhe me reshje të dendura?
Pas periudhave me reshje të dendura, fermerët përballen me disa probleme të zakonshme që ndikojnë negativisht në prodhimin e pemëve. Një nga sfidat kryesore është përhapja e sëmundjeve kërpudhore dhe bakteriale, për shkak të lagështirës së lartë. Reshjet e tepërta mund të shkaktojnë edhe përmbytje në fusha, që dëmton rrënjët dhe zvogëlon aftësinë e bimëve për të thithur materie ushqyese. Gjithashtu, uji i tepërt mund të shkaktojë çarje të frutave, duke ulur cilësinë dhe vlerën tregtare të tyre. Një problem tjetër i shpeshtë është vonesa në vjelje dhe vështirësi në qarkullimin e makinave bujqësore në terrene të lagura, që ndikojnë në menaxhimin e prodhimit.
Si ndikon thatësira në rendimentin dhe cilësinë e prodhimeve bujqësore?
Thatësira ka një ndikim të madh negativ në rendimentin dhe cilësinë e prodhimeve bujqësore, veçanërisht tek pemët. Kur mungon uji gjatë periudhave kyçe të zhvillimit, si faza e frytëzimit dhe rritjes së frutave, proceset fiziologjike të bimëve ngadalësohen ose ndërpriten. Kjo shkakton frenim të zhvillimit të frutave, të cilat dalin më të vegjël dhe me formë jo të rregullt. Për më tepër, thatësira zvogëlon përmbajtjen e ujit në frutë, duke i bërë ato më të thata dhe më pak të shijshme. Në nivelin e përmbajtjes kimike, sheqernat dhe komponimet aromatike, të cilat janë të rëndësishme për shijen dhe cilësinë organoleptike, ulen ndjeshëm. Kjo ndodh sidomos te mollët, dardhat dhe pjeshkat, të cilat kanë nevojë për ujë të mjaftueshëm për ta zhvilluar cilësinë optimale të frutave. Për më tepër, thatësira mund të shkaktojë rënien e frutave para kohe, duke ulur ndjeshëm rendimentin total të vjeljes. Në raste ekstreme, thatësira e gjatë mund të dëmtojë edhe strukturën e pemëve, duke i dobësuar për prodhime të ardhshme.
Cilat kultura janë më të prekura nga mungesa e ujit?
Molla dhe dardha janë kultura që ndihen më shumë nga mungesa e ujit, pasi gjatë fazave të frytëzimit dhe rritjes kanë nevojë për lagështi të qëndrueshme për të siguruar prodhim të mirë dhe cilësi të pranueshme. Qershia dhe pjeshka preken gjithashtu nga thatësira, duke sjellë fruta më të vogla dhe me cilësi më të ulët. Pemët e imëta, si mjedra, janë veçanërisht të ndjeshme ndaj mungesës së ujit, pasi kërkojnë lagështi të vazhdueshme gjatë rritjes. Thatësira mund të ndikojë në rendimentin dhe në cilësinë e frutave të mjedrës, duke bërë që prodhimi të jetë më i ulët dhe frutat më pak të zhvilluara.
A janë sistemet e ujitjes të mjaftueshme për të përballuar periudhat e gjata pa reshje?
Në shumicën e pemishtave në Kosovë, sistemet ekzistuese të ujitjes nuk janë të mjaftueshme për të përballuar periudhat e gjata pa reshje. Shumë fermerë përballen me mungesë të qasjes të qëndrueshëm në burime ujore dhe nuk kanë implementuar sisteme efikase të ujitjes, siç është ujitja pikë-pikë me automatizim, që ndihmon në përdorimin racional të ujit dhe rritjen e efikasitetit. Mungesa e rezervuarëve për grumbullimin dhe ruajtjen e ujit përbën një sfidë të konsiderueshme për menaxhimin e ujit gjatë periudhave të thatësirës.
Çfarë masa mund të marrin fermerët për t’u mbrojtur nga dëmet e reshjeve apo thatësirës?
Fermerët mund të ndërmarrin masa të ndryshme për të mbrojtur kulturat e tyre nga dëmet që shkaktojnë reshjet e dendura apo thatësira. Për t’i shmangur përmbytjet dhe dëmtimet nga uji i tepërt, është thelbësore të investojnë në sisteme më të mira drenazhi që lehtësojnë largimin e ujit nga toka dhe parandalojnë erozionin. Për t’i përballuar periudhat e thatësirës, duhet të krijojnë sisteme të qëndrueshme ujitjeje, dhe të ndërtojnë rezervuarë uji të përshtatshëm, në varësi të kapaciteteve dhe sipërfaqeve të pemishtes. Këto rezervuarë mund të sigurojnë furnizim të vazhdueshëm me ujë gjatë periudhave të thatësirës dhe ndihmojnë që pemët të mos preken drejtpërdrejt nga mungesa e ujit.
Si mund të ndihmojë teknologjia moderne në parandalimin apo zbutjen e pasojave të motit ekstrem?
Teknologjia moderne luan një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe zbutjen e pasojave të motit ekstrem në bujqësi, veçanërisht në sektorin e pemëtarisë. Përdorimi i sensorëve të lagështisë në tokë mundëson monitorimin e vazhdueshëm të nivelit të ujit në rrënjë, duke ndihmuar fermerët të vendosin saktë kur dhe sa ujë duhet të përdorin, duke shmangur ujitjen e tepërt apo të pamjaftueshme. Stacionet meteorologjike lokale dhe aplikacionet për parashikimin e motit ofrojnë informacion në kohë reale mbi ndryshimet klimatike, duke i dhënë, paraprakisht, fermerëve mundësinë të planifikojnë masat mbrojtëse. Për më tepër, sistemet e automatizuara të ujitjes, si ato me teknologji pikë-pikë, rritin efikasitetin e përdorimit të ujit duke siguruar që çdo pemë të marrë sasinë e nevojshme në mënyrë të kontrolluar dhe ekonomike. Këto teknologji reduktojnë stresin e bimëve nga moti ekstrem dhe ndihmojnë në ruajtjen e rendimentit dhe cilësisë së prodhimeve bujqësore. Në këtë mënyrë, teknologjia moderne ofron mjete të fuqishme për përmirësimin e menaxhimit të resurseve ujore dhe përballimin më të mirë të sfidave klimatike në pemishte.
Çfarë këshille do t’u jepnit fermerëve për t’u përgatitur më mirë në kohët me shi dhe thatësirë?
Fermerëve do t’u këshilloja që të planifikojnë prodhimin duke marrë parasysh ndryshimet klimatike dhe modelet e reshjeve. Është e rëndësishme të bëjnë një analizë të mirë të tokës dhe të burimeve ujore që kanë në dispozicion, për të përcaktuar nevojat reale të pemëve gjatë periudhave të ndryshme të vitit. Investimi në infrastrukturë për menaxhimin e ujit, si sistemet e ujitjes pikë-pikë dhe rezervuarët për ruajtjen e ujit, ndihmon në përballimin e thatësirave. Gjithashtu, duhet të konsultohen rregullisht me agronomë dhe specialistë të fushës për të marrë këshilla teknike të përshtatura për kushtet e tyre. Ndjekja e parashikimeve të motit dhe përdorimi i teknologjive për monitorimin e klimës janë mjete të dobishme për të marrë vendime të shpejta dhe efektive. Për më tepër, zbatimi i praktikave të qëndrueshme bujqësore, ndihmon në uljen e rreziqeve që sjellin motet ekstreme.
/Motilokal.com
