Kumbaro: Zonat e mbrojtura, shtëpia e një biodiversiteti të larmishëm

Kumbaro: Zonat e mbrojtura, shtëpia e një biodiversiteti të larmishëm

Sot, në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit, një ditë që nderon thesarin e çmuar natyror që ruhet në zonat e mbrojtura.

Kjo ditë u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të përkujtuar 22 majin 1992, kur u miratua Konventa për Diversitetin Biologjik, një marrëveshje ndërkombëtare ku Shqipëria është palë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau sot në rrjetet sociale pamje mbresëlënëse nga zonat tona të mbrojtura, duke theksuar rolin e tyre si strehë e një biodiversiteti të pasur dhe të larmishëm.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, me këtë kolazh nga zonat tona të mbrojtura, të cilat janë shtëpia e çmuar e një biodiversiteti të larmishëm”, shkruan Kumbaro.

Me zgjerimin e sipërfaqes së zonave të mbrojtura, që sot përfshijnë 21.5% të territorit të Shqipërisë, synohet jo vetëm ruajtja e mëtejshme e natyrës së paprekur, por edhe mbrojtja e habitatëve të rralla dhe pasurive unike natyrore që vendi ynë ofron.

Këto zona nuk janë vetëm pasuri ekologjike, por edhe burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm dhe turizmin natyror. Vetëm gjatë vitit 2024, zonat e mbrojtura të Shqipërisë janë vizituar nga mbi 5.5 milionë vizitorë, dëshmi e bukurisë dhe vlerave të jashtëzakonshme që ato përfaqësojnë.


/Motilokal.com