Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka njoftuar se më datë 21 qershor 2025, rreth orës 17:35, ka pranuar një thirrje urgjente për ndihmë nga dy turiste shtetase të huaja, të cilat ndodheshin në segmentin e tretë të shtegut ndërkufitar High Scardus Trail, në afërsi të liqenit të Livadhit në Brezovicë.
Sipas njoftimit të ShKShMK-së, njëra nga turistet, identifikuar me inicialet N.S., ishte rrëzuar dhe kishte pësuar lëndime në këmbën e majtë, duke e bërë të pamundur ecjen e mëtejshme. Për shkak të kushteve të rënda atmosferike dhe mungesës së mbulimit me rrjet të telefonisë mobile, ato kishin aktivizuar butonin SOS përmes pajisjes Garmin inReach, duke dërguar koordinatat e vendndodhjes së tyre.
“Menjëherë pas pranimit të thirrjes, një skuadër e ShKShMK ka nisur operacionin e kërkim-shpëtimit”, thuhet në komunikatë. Ekipi i parë ka arritur në kohë të shkurtër në koordinatat e para, por nuk ka hasur në turistet, të cilat kishin lëvizur drejt luginës së Gotovushës për t’i shpëtuar stuhisë, pavarësisht paralajmërimeve për të qëndruar në vend.
“Në kushte shumë të vështira atmosferike dhe në një lartësi mbi 2400 metra mbi nivelin e detit, ekipet tona kanë vazhduar kërkimin përmes koordinatave të reja,” bëri të ditur ShKShMK.
Pas lokalizimit, është konfirmuar se njëra prej turisteve kishte pësuar lëndim në gjurin e majtë, ndërsa të dyja kishin shenja të lehta të hipotermisë. Ekipi i shpëtimit ka ofruar ndihmën e parë mjekësore dhe ka nisur evakuimin e tyre përmes shtigjeve alternative, për shkak të lëvizjes së tyre në drejtim të gabuar që e kishte komplikuar situatën.
Sipas ShKShMK-së, operacioni ka zgjatur gjithsej 10 orë e 30 minuta dhe është përmbyllur me sukses.
Në njoftim thuhet se operacioni është mbështetur nga Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, Zjarrfikësit e Komunës së Shtërpcës, si dhe nga banorë vullnetarë të kësaj komune.
“Shprehim falënderim të sinqertë për të gjithë pjesëmarrësit në këtë operacion për përkushtimin, vullnetin dhe shpirtin e lartë human që u dëshmua në terren”, përfundon njoftimi i ShKShMK-së.
/Motilokal.com
