Kryeqyteti në kolaps higjienik – Prishtina nën rrethim nga mbeturinat!

Kryeqyteti në kolaps higjienik – Prishtina nën rrethim nga mbeturinat!

Lagje të tëra në Prishtinë janë mbuluar nga grumbuj të mëdhenj mbeturinash, duke krijuar pamje shqetësuese dhe duke rrezikuar seriozisht shëndetin publik. Në zonën përgjatë rrugës “Fadil Ferati”, përballë “Rrugës B”, situata është veçanërisht alarmante – mbeturinat janë hedhur pranë banesave dhe fare afër këndeve të lojërave për fëmijë.

Banorët janë të shqetësuar dhe të zemëruar, duke paralajmëruar për rrezikun në rritje nga ndotja dhe përhapja e sëmundjeve. Ata thonë se situata është përkeqësuar ditëve të fundit dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm.

Shërbimi i pastrimit është ndërprerë përkohësisht nga ndërmarrja publike “Pastrimi” për shkak të një krize të thellë financiare, duke lënë shumë pjesë të qytetit pa mbledhje të rregullt të mbeturinave.

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se po punon për një zgjidhje të qëndrueshme, por banorët kërkojnë veprime të shpejta për të shmangur një krizë të plotë mjedisore dhe shëndetësore.

/Motilokal.com