Sot është zhvilluar një takim zyrtar ndërmjet përfaqësuesve të lartë të Kryeqytetit dhe përfaqësuesve të Sindikatës së Punëtorëve të Ndërmarrjes Rajonale “Pastrimi”, ku janë trajtuar kërkesat e parashtruara nga sindikata.
Një nga pikat kyçe të takimit ishte nënshkrimi i kontratës për menaxhimin e mbeturinave sipërfaqësore, me vlerë prej 1.5 milionë euro, e cila është finalizuar me marrëveshje të ndërsjellë ndërmjet palëve.
Sa i përket kërkesave të tjera, si pagesa retroaktive për pesë muaj dhe nënshkrimi i kontratës bazike për shërbimet e rregullta të grumbullimit të mbeturinave, Kryeqyteti ka propozuar shqyrtimin e mundësive për zgjidhje të këtyre çështjeve brenda kompetencave ekzekutive dhe legjislative, gjithnjë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Përfaqësuesit e ndërmarrjes janë njoftuar gjithashtu për zhvillimin e një takimi të thirrur nga Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, me kryetarët e komunave tjera aksionare. Gjatë këtij takimi, është shprehur gatishmëria për nisjen e menjëhershme të procedurave për decentralizimin e ndërmarrjes, në përputhje me kornizën ligjore.
Kryeqyteti riafirmon përkushtimin për të adresuar me seriozitet çdo çështje që lidhet me funksionimin e ndërmarrjes dhe mirëqenien e punonjësve. Në këtë kontekst, konsiderohet se grumbullimi i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm.
Ndërkohë, për të siguruar pastërtinë në gjithë territorin e Kryeqytetit, përfshirë edhe zonat rurale, procesi i grumbullimit të mbeturinave po vazhdon pa ndërprerje, 24/7, nga operatorët e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës si masë emergjente.
/Motilokal.com
