Volkswagen po përgatit një gjeneratë të re të baterive

Volkswagen po përgatit një gjeneratë të re të baterive

Volkswagen do t’i bëjë automjetet elektrike më të përballueshme, duke prezantuar një teknologji të re të baterive LFP (litium-hekur-fosfat), që karakterizohet nga një dendësi më e lartë energjie dhe peshë më e ulët.

Kjo teknologji do të integrohet në të gjithë gamën e veturave elektrike të markës, nga modelet më të vogla deri te ID.7. ID.2, i ngjashëm në madhësi me modelin Polo, pritet të dalë në treg në vjeshtën e vitit 2025 me një çmim fillestar rreth 24 mijë euro. Ndërsa ID.1, një model edhe më i vogël, pritet të vijë në vitin 2027 me një çmim rreth 20 mijë euro.

Falë këtyre baterive, pritet që edhe modelet e tjera të serisë ID të pësojnë ulje çmimi.

Bateritë LFP janë më ekonomike se ato me përbërje nikel-mangan-kobalt (NMC) që përdoren aktualisht. Edhe pse kanë pak më pak dendësi energjie, Volkswagen planifikon ta kompensojë këtë duke futur më shumë qeliza në paketë, falë një arkitekture të re “cell-to-pack”. Platforma aktuale MEB, mbi të cilën ndërtohen të gjitha modelet elektrike të Volkswagen-it, do të përditësohet në MEB Plus nga viti 2026.

“Vendosëm ta përmirësojmë platformën në MEB Plus dhe të prezantojmë sistemin e baterive cell-to-pack me teknologji LFP. Ky është një hap i madh përpara në uljen e kostove”, tha drejtori i Volkswagen-it, Thomas Schäfer.

Dizajni i ri i baterive është i ngjashëm me atë të baterisë Blade të prodhuesit kinez BYD, qeliza të gjata që rrisin densitetin energjetik. Aktualisht, moduli MEB31 i VW-së përdor mbajtëse metalike për të fiksuar modulet drejtkëndëshe, por me dizajnin e ri këto do të eliminohen.

Prodhimi i baterive do të zhvillohet në Evropë, në një gigafabrikë të re në Salzgitter, në Saksoninë e Poshtme, në pronësi të degës së VW-së, PowerCo. Fabrika do të ketë një kapacitet prodhimi prej 40 GWh dhe do të prodhojë qeliza me përbërje LFP dhe NMC. Në plan janë edhe disa fabrika të tjera të ngjashme në Evropë.

/Motilokal.com