Një hap historik: UNESCO propozon që Lugina e Vjosës të bëhet ‘Rezervat i Biosferës’

Një hap historik: UNESCO propozon që Lugina e Vjosës të bëhet ‘Rezervat i Biosferës’

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka ndarë një lajm të rëndësishëm përmes një postimi në Facebook: UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar që Lugina e Vjosës të shpallet Rezervat i Biosferës, një hap i rëndësishëm drejt njohjes ndërkombëtare të vlerave natyrore të kësaj zone të rrallë.

Në postimin e saj, ministrja shkruan:

“Ditë të mbarë me një lajm që na mbush me emocion dhe krenari: #UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar që Lugina e Vjosës të shpallet Rezervat Biosfere.

Kjo është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar, është një njohje e bukurisë së egër të Vjosës, një shprehje mirënjohjeje për komunitetet që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Evropë.

Ky rezultat nuk është i rastësishëm, por vjen si fryt i një pune të palodhur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, që nga vizita e parë e Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, në Vjosë në shkurt 2023, e deri te përkushtimi i specialistëve që ndoqën çdo hap me profesionalizëm.

Sot, Vjosa nuk është më thjesht një lumë, ajo është një model i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon. Në shtator pritet miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervave të Biosferës i UNESCO-s, që do ta përfshijë Vjosën në listën e pasurive botërore, si një himn për natyrën dhe për njerëzit.”


/Motilokal.com