Vala e të nxehtit po vjen, por surprizat e motit nuk mungojnë

Vala e të nxehtit po vjen, por surprizat e motit nuk mungojnë

Java që vjen përkon me fillimin zyrtar të stinës meteorologjike të verës, dhe kjo do të pasqyrohet edhe në kushtet atmosferike. Pritet që dita-ditës të kemi rritje të ndjeshme të temperaturave, duke shënuar hyrjen në një valë të parë të të nxehtit për këtë sezon. Krahas temperaturave të larta, do të vërehet një stabilizim më i madh i motit, me më pak luhatje dhe me prani më të vogël të reshjeve në shumicën e rajoneve.

Megjithatë, kjo situatë nuk pritet të zgjasë pa ndërprerje. Duke iu afruar mesit të muajit dhe sidomos gjysmës së dytë të qershorit, skenari meteorologjik mund të ndryshojë. Parashikimet aktuale tregojnë për mundësinë e hyrjes së masave ajrore më të freskëta dhe të paqëndrueshme, të cilat, të shtyra nga ndonjë shtjellë ciklonike mbi rajon, mund të sjellin rënie të përkohshme të temperaturave nën mesataren sezonale. Në këto kushte, do të jenë të mundshme zhvillime të rrebesheve të shpejta të shiut, herë-herë të shoqëruara me bubullima dhe erëra të forta, një tipar tipik i klimës së qershorit në vendin tonë.

Kështu, edhe pse vera po nis me vrull dhe nxehtësi, ajo do të shoqërohet me luhatje të herëpashershme që mbeten pjesë e natyrshme e këtij tranzicioni sezonal.

/Motilokal.com