Policia e Kosovës ka një njoftim të rëndesishëm

Policia e Kosovës ka një njoftim të rëndesishëm

Policia e Kosovës ka lëshuar një apel për kujdes dhe vigjilencë të shtuar në zonën malore të Shtërpcës, pas raportimeve të shumta mbi rritjen e pranisë së kafshëve të egra, veçanërisht të arinjve, në këtë territor.

Sipas të dhënave të mbledhura nga terreni, arinjtë janë parë shpesh në afërsi të vendbanimeve, gjë që përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve. Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese në zonat përreth Brezovicës dhe liqeneve të Shtërpcës, ku frekuentimi i turistëve vendorë dhe të huaj është në rritje, sidomos te liqeni i Jazhincës.

Policia njofton se shumë vizitorë janë vënë në kontakt të rrezikshëm me këto kafshë, duke i fotografuar dhe xhiruar nga distanca shumë të afërta, shpesh vetëm 10 deri në 20 metra larg, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe sigurinë e tyre.

Për këtë arsye, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët, veçanërisht tek familjet me fëmijë, që të tregojnë kujdes maksimal gjatë qëndrimit në natyrë dhe të shmangin çdo përpjekje për t’u afruar me kafshët e egra.

Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, janë paralajmëruar masa të menjëhershme informuese dhe parandaluese, për të siguruar mbrojtjen e qytetarëve dhe parandalimin e incidenteve të mundshme.

Policia fton edhe mediat që të kontribuojnë në shpërndarjen e këtij apeli, në funksion të vetëdijesimit të publikut dhe ruajtjes së jetës dhe shëndetit të të gjithëve.

/Motilokal.com