Shtohen kontrollet në Parkun Kombëtar “Sharri” pas paraqitjes së arinjve në zonat e banimit

Shtohen kontrollet në Parkun Kombëtar “Sharri” pas paraqitjes së arinjve në zonat e banimit

Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” ka intensifikuar aktivitetet e monitorimit në terren, pas shtimit të frekuentimeve nga ana e ariut të murrmë në zonat e banuara dhe në lokacionet e vizitorëve brenda territorit të parkut.

Kjo dukuri, e cila përsëritet çdo vit gjatë muajve maj dhe qershor, vjen si pasojë e kërkimit për ushqim nga arinjtë, kryesisht në zonat ku hidhen mbeturina ushqimore.

Për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të garantuar sigurinë e vizitorëve, DAPK “Sharri” ka shtuar masat mbikëqyrëse dhe ka ndërmarrë veprime konkrete në terren, si:

  • Patrullime të shtuara nga rojet e natyrës në zonat Brezovicë dhe Prevallë;

  • Angazhim i stafit profesional me kontrolle të përditshme, përfshirë edhe ditët e fundjavës;

  • Takime me vizitorët për informim rreth rreziqeve që paraqet kjo situatë;

  • Informim i vazhdueshëm përmes rrjeteve sociale, uebfaqes zyrtare dhe kanaleve tjera të komunikimit.

DAPK “Sharri” thekson se këto aktivitete do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe u bën thirrje institucioneve relevante, përfshirë stacionet policore të Shtërpcës dhe Prizrenit, për bashkëpunim të mëtejshëm në menaxhimin e situatës.

Po ashtu, kërkohet mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i banorëve dhe vizitorëve të zonës që të mos hedhin mbeturina ushqimore në ambientet e parkut, për të shmangur tërheqjen e kafshëve të egra në hapësirat publike.

/Motilokal.com