Flamingot folezojnë për herë të parë në Shqipëri

Flamingot folezojnë për herë të parë në Shqipëri

Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri ka konfirmuar një ngjarje historike për biodiversitetin e vendit: flamingot kanë folezuar për herë të parë në Shqipëri. Ky zhvillim i jashtëzakonshëm vjen nga laguna e Nartës, një nga zonat më të rëndësishme ligatinore në Ballkan, ku flamingot kishin vite që përpiqeshin të krijonin koloni folezimi.

Gjatë monitorimeve të fundit, u regjistruan 281 fole me vezë, për të cilat ekspertët presin që të çelin së shpejti. Çelja e zogjve të parë të flamingos në territorin shqiptar shënon një hap të rëndësishëm drejt qëndrueshmërisë së kësaj specieje në rajon. Kjo nënkupton se Shqipëria nuk është më vetëm një pikë tranziti për flamingot, por një vend me potencial të plotë riprodhimi, që mund të ndikojë pozitivisht në të gjithë popullatën evropiane të kësaj specieje.

Megjithatë, ky sukses është i rrezikuar seriozisht. Folezimi i parë ndodhi pikërisht në të njëjtin vit kur në habitatin e flamingove u krye fluturimi testues i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Edhe pse vetëm një avion i vogël për testim, ky fluturim nxori në pah potencialin për ndikime negative të mëdha mbi faunën e ndjeshme të zonës, nëse aeroporti nis të operojë në mënyrë të rregullt.

Shoqata nënvizon se ky zhvillim pozitiv për natyrën shqiptare është rezultat edhe i përpjekjeve të vazhdueshme të vendeve fqinje për ruajtjen e habitateve të flamingos. Por, pa mbrojtje të përhershme dhe të përgjegjshme të kompleksit Vjosë-Nartë, ky hap i rëndësishëm mund të zhbëhet shumë shpejt nga zhvillimi i paqëndrueshëm dhe mungesa e politikave të qëndrueshme mjedisore.

Flamingoja është tashmë lloji më i ri që i shtohet listës së shpendëve folezues në Shqipëri, një dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm natyror të vendit, që kërkon më shumë se kurrë vëmendje, kujdes dhe mbrojtje të pakushtëzuar.


/Motilokal.com