Nëse ndodheni në një kopsht, livadh, park apo pyll gjatë verës, mund të shihni zonën që ndriçohet në mbrëmje. Shkëlqimi magjik në ajër ka gjasë të vijë nga xixëllonjat, një lloj insekti që ndriçon në errësirë, ndërsa zona zhytet në errësirë me perëndimin e diellit. Është e zakonshme që fëmijët t’i ndjekin këta brumbuj (të cilët, në fakt, nuk janë mizë) dhe t’i kapin për t’i futur në kavanozë për argëtim të ndriçuar. Por, a jeni pyetur ndonjëherë se si xixëllonjat prodhojnë këtë dritë? Bëhet fjalë për një reaksion kimik të quajtur biolumineshencë dhe xixëllonjat mund të jenë shembulli më i mirë i këtij fenomeni.
Me përkufizim, biolumineshenca është një lloj kimilumineshence që ndodh te qeniet e gjalla. Te xixëllonjat, ajo ndodh si rezultat i kombinimit të oksigjenit me adenozinë-trifosfatin (ATP), kalciumin dhe një substancë të quajtur luciferinë, kjo e fundit është kimikati që në fakt prodhon dritën. Luciferina është një nënprodukt i enzimës luciferazë kur përzihet me oksigjenin, dhe mënyra se si është strukturuar kjo substancë ndikon në ngjyrën e dritës, e cila te këto insekte nate është e verdhë. Kjo dritë “e ftohtë” që prodhojnë xixëllonjat është ndryshe nga ajo e llambave, të cilat gjenerojnë edhe nxehtësi. Nëse biolumineshenca do të prodhonte nxehtësi në të njëjtën mënyrë, këta brumbuj nuk do të mund të mbijetonin.
Pse ndriçojnë xixëllonjat?
Gjërat interesante rreth kafshëve që prodhojnë dritë vetë është se disa prej tyre si xixëllonjat, mund ta kontrollojnë këtë dritë, dhe shpesh është mënyra se si ato komunikojnë. Duke rregulluar sasinë e oksigjenit që hyn në "fenerin" e tyre (organin e dritës) përmes trakeolave, një rrjet i ndërlikuar tubash që bëhen gjithnjë e më të vegjël, brumbujt mund të nisin dhe ndalojnë reaksionin kimik. Mendohet se xixëllonjat zhvilluan këtë aftësi për të frikësuar grabitqarët. Megjithatë, sot ato e përdorin kryesisht këtë reaksion kimik si sinjal për çiftim.

Çdo lloj xixëllonje ka sinjalin e vet, dhe për shumicën e llojeve në Amerikën e Veriut, ky sinjal shërben për të dalluar femrën nga mashkulli. Zakonisht, meshkujt fluturojnë në një lartësi dhe kohë të caktuar të natës, duke ndezur fenerin e tyre sipas një sekuence unike për llojin që i përketin. Ndërkohë, femrat vëzhgojnë nga toka apo bimësia përreth (siç janë gjethët e barit), dhe ndezin dritën e tyre si përgjigje për të tërhequr meshkujt. Kur sinjalet përputhen dhe të dy tërhiqen, ata mund të çiftohen.
Disa lloje xixëllonjash mund të kalojnë orë të tëra duke ndriçuar, ndërsa të tjera vetëm 20 minuta. Ka madje meshkuj që ndriçojnë në sinkron me njëri-tjetrin dhe disa që përdorin dritën për qëllime të tjera komunikimi. Për më tepër, jo të gjitha xixëllonjat përdorin dritën për të komunikuar. Disa specie që fluturojnë ditën përdorin feromonë për çiftim në vend të dritës.
/Motilokal.com
