Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e Komunës së Prishtinës për vendosjen e një mase të përkohshme sigurie ndaj zbatimit të Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave.
Rregullorja në fjalë ishte miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës më 1 dhjetor 2023, ishte plotësuar më 5 dhjetor 2024 dhe ishte publikuar në Gazetën Zyrtare më 31 dhjetor 2024.
Përmes kësaj rregulloreje, përcaktohet që pagesat për shërbimet e menaxhimit të mbeturinave të kryhen drejtpërdrejt në KRM “Pastrimi” Sh.A. Komuna kishte kërkuar pezullimin e përkohshëm të zbatimit të saj, duke pretenduar se ajo prodhon pasoja juridike para se të vendoset përfundimisht mbi ligjshmërinë e saj.
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka theksuar se nuk ekziston bazë ligjore për të ndaluar prodhimin e efekteve juridike të kësaj rregulloreje, duke sqaruar se pezullimi i një akti nënligjor nuk mund të bëhet pa një vendim përfundimtar mbi vlefshmërinë ose ligjshmërinë e tij.
Ky vendim nënkupton se pretendimi i Komunës për pezullimin e efekteve juridike të rregullores deri në një vendim përfundimtar është i pambështetur në ligj.

/Motilokal.com
