Njoftim i rëndësishëm nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës

Njoftim i rëndësishëm nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës ka vendosur masë ndalese të pakohshme për importin e ruminantëve të vegjël (dele dhe dhi) nga Qarku i Shkodrës dhe ai i Kukësit në Shqipëri, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) e njohur ndryshe si murtaja e deleve dhe dhive.

Sipas njoftimit të autoriteteve shqiptare, sëmundja është identifikuar tek dhitë në Qarkun e Shkodrës. Si masë parandaluese për mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës, autoritetet kufitare do të shtojnë kontrollet në të gjitha pikat kufitare me Shqipërinë, për të parandaluar futjen e kësaj sëmundjeje ngjitëse.

PPR është një sëmundje virale që prek kryesisht ripërtypësit e vegjël si dhitë dhe delet. Ajo përhapet kryesisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara, ndërsa sekrecionet dhe jashtëqitjet përbëjnë burimin kryesor të infeksionit. Shenjat klinike përfshijnë temperaturë të lartë, rrjedhje nga hundët, inflamacion të syve, humbje oreksi, diarre dhe në raste të rënda edhe ngordhje.

Kjo sëmundje nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.

AUV, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë të monitorojë situatën me seriozitet dhe do të informojë me kohë fermerët dhe publikun për çdo zhvillim të ri, si dhe për masat e nevojshme parandaluese.

/Motilokal.com