Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar ndalimin e importit të deleve dhe dhive nga i gjithë territori i Shqipërisë, pas zgjerimit të zonave të prekura nga sëmundja ngjitëse e murtajës së bagëtive të imta (PPR – Peste des Petits Ruminants).
Pas rivlerësimit të situatës epidemiologjike dhe konfirmimit të rasteve të reja të PPR-së në disa rajone të Shqipërisë, AUV ka ashpërsuar masat parandaluese, duke zgjatur ndalesën e mëhershme për importin e ruminantëve të vegjël dhe duke e shtrirë tani në gjithë territorin e Shqipërisë.
Përveç masave të ndalesës së importit, AUV ka kërkuar nga komunat e Kosovës që ndodhen përgjatë brezit kufitar me Shqipërinë të vendosin masa shtesë kufizuese, përfshirë ndalimin e lëvizjes së bagëtive të imta në kullota afër kufirit. Fermerët që mbajnë dele dhe dhi këshillohen të mbikëqyrin me kujdes bagëtitë e tyre dhe të shmangin çdo kontakt me tufat që vijnë nga territori shqiptar.
Sëmundja PPR është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë, e cila përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshë të infektuara. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, mungesë oreksi, diarre dhe në raste të rënda, vdekje. Sëmundja nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk përbën rrezik për shëndetin publik.
Autoritetet kufitare do të rrisin kontrollet në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse, si dhe në zonat kufitare, për të parandaluar futjen e sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës.
AUV, në bashkëpunim me institucionet relevante, do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe të ndërmarrë masa shtesë sipas nevojës. Fermerët dhe publiku do të informohen rregullisht për zhvillimet e reja dhe udhëzimet përkatëse.
/Motilokal.com
