Stuhia dimërore godet Afrikën e Jugut

Stuhia dimërore godet Afrikën e Jugut

Një front i ftohtë i fuqishëm ka përfshirë Afrikën e Jugut që nga fundjava, duke sjellë reshje të dendura bore, rënie të ndjeshme të temperaturave dhe ndërprerje të shumta në shërbime.

Provincat Eastern Cape, KwaZulu-Natal dhe Free State janë ndër më të prekurat, me reshje të konsiderueshme bore që kanë detyruar mbylljen e disa rrugëve kryesore, përfshirë segmente të autostradës N2.

Kushtet e rrezikshme të motit kanë kontribuar në një aksident tragjik përgjatë autostradës N2, ku pesë persona humbën jetën, sipas Departamentit të Transportit të Eastern Cape, raporton Reuters.

Shërbimi Meteorologjik i Afrikës së Jugut kishte paralajmëruar më herët për një rënie të madhe të temperaturave, të shoqëruar me reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe borë në zonat lindore të vendit.

Përveç ndërprerjeve në qarkullimin rrugor, moti ekstrem ka shkaktuar edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa rajone. Kompania publike e energjisë, Eskom, është duke u përballur me një numër të madh ankesash nga qytetarët dhe po punon për rikthimin e shërbimit sa më parë.

Fronti i ftohtë pritet të vazhdojë deri në mesjavë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

/Motilokal.com