Shtresa e akullit e Groenlandës u shkri 17 herë më shpejt se mesatarja gjatë një vale të nxehti në maj, njoftoi të mërkurën rrjeti shkencor World Weather Attribution (WWA).
Temperaturat mbi Islandë të regjistruara këtë maj janë nivele rekord, më shumë se 13 gradë Celsius mbi temperaturat mesatare maksimale ditore në maj nga viti 1991 deri në vitin 2020 - tha WWA.
Sipas institutit meteorologjik, 84 për qind e stacioneve meteorologjike në të gjithë vendin regjistruan temperatura rekord në maj.
Në Grenlandën lindore, dita më e ngrohtë gjatë valës së të nxehtit ishte 3.9 gradë Celsius më e ngrohtë se në klimën para-industriale, vuri në dukje WWA.
Ndikime unike
Ata shtuan se temperaturat si ato të vëzhguara në Islandë dhe Grenlandë mund të regjistrohen vetëm një herë në 100 vjet, dhe këtë herë mund të ndodhë përsëri.
Një valë e të nxehtit në rajone të adaptuara ndaj të ftohtit si Grenlanda dhe Islanda ka ndikime unike.
“Në Grenlandë dhe Islandë, infrastruktura ndërtohet për mot të ftohtë, që do të thotë se shkrirja e akullit mund të çojë në përmbytje dhe dëmtime të rrugëve dhe infrastrukturës”, shpjegoi WWA.
Më 15 maj, temperaturat në Islandë tejkaluan 26 gradë Celsius, një ngjarje shumë e pazakontë për rajonin.
Në Islandë, rrjedhjet e bitumit në rrugë kanë krijuar kushte të rrezikshme drejtimi, ndërsa në Groenlandë, temperaturat më të ngrohta kanë shkaktuar shpërbërjen e akullit të detit, duke kërcënuar komunitetet që varen prej tij për gjueti, peshkim dhe udhëtime.
Ndikimi i ndryshimeve klimatike
Analiza e WWA-së nxjerr në pah ndikimin e ndryshimeve klimatike, duke arritur në përfundimin se nxehtësia ekstreme ishte rreth tre gradë më e lartë dhe 40 herë më e mundshme për shkak të ngrohjes globale.
Ndërsa modelet klimatike kanë tendencë të nënvlerësojnë rritjen e temperaturës, parashikimet sugjerojnë se, me ngrohjen globale prej 2.6 gradësh, ngjarje të tilla mund të bëhen dy herë më të mundshme dhe madje edhe më të nxehta.
Një rekord i ri temperature prej 26.6 gradësh u regjistrua në Egilsstaðir, në Islandën lindore, me një periudhë përsëritjeje të vlerësuar prej rreth 110 vjetësh në kushtet aktuale klimatike.
Si Grenlanda ashtu edhe Islanda po përjetojnë tendenca më të gjera në Arktik të rritjes së temperaturave dhe ndryshimit të modeleve të reshjeve, duke e bërë përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike gjithnjë e më urgjente.
Islanda po formalizon planet e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike me fokus në infrastrukturë dhe sisteme sociale, ndërsa Grenlanda po fillon ta trajtojë nxehtësinë si një kërcënim të ri për shëndetin publik.
/Motilokal.com
