Pavarësisht se cilin shkencëtar do të pyesni për potencialin e kolonizimit të një planeti tjetër, të gjithë do t'ju thonë se është teorikisht e mundur, por praktikisht e vështirë për t'u arritur. Para së gjithash, sepse kushtet për jetën që u nevojiten njerëzve janë të vështira për t'u arritur në shumicën e planetëve.
Marsi, të paktën sipas hulumtimeve të deritanishme, është shfaqur si një planet potencial për njerëzit për të jetuar në të ardhmen. Megjithatë, për ta banuar vërtet planetin, dhe jo vetëm për të jetuar në një bazë, i gjithë planeti do të duhej të transformohej ose të terraformohej.
Dhe ndërsa disa shkencëtarë besojnë se kjo është e mundur në teori, por që njerëzit ende nuk kanë njohuritë ose aftësinë për ta bërë këtë, autorët e një studimi të botuar së fundmi në Nature Astronomy besojnë se kjo nuk është aq problematike.
Siç thuhet në studim, terraformimi mund të reduktohet në tre hapa "të thjeshtë". Ata e bazojnë teorinë e tyre në zbulimet e fundit rreth përbërjes së Marsit, si dhe në përparimin në industrinë dhe shkencën hapësinore.
Ata citojnë hulumtime që sugjerojnë se Marsi ka rezerva të mëdha akulli, të cilat mund të jenë të mjaftueshme për të krijuar një oqean në planet. Por që akulli të fillojë të shkrihet, planeti do të duhet të ngrohet në të paktën 30 gradë.
Një mënyrë se si kjo mund të arrihet, thotë studimi, është duke përdorur vela diellore për të vepruar si pasqyra dhe për të ridrejtuar më shumë dritë në planet. E kombinuar me shpërndarjen e aerosoleve në atmosferë, kjo mund të shkaktojë një efekt serrë (i njëjti që aktualisht po ngroh Tokën). Ata vlerësojnë se ngrohja prej 30 gradësh mund të arrihet brenda një shekulli.
Hapi tjetër do të ishte krijimi i mikrobeve që janë mjaftueshëm të qëndrueshme për të mbijetuar kushtet ekstreme në Mars (si ato që ekzistojnë aktualisht, ashtu edhe ato që do të lindin ndërsa planeti ngrohet gradualisht). Shkencëtarët besojnë se mikrobet do të duhet të modifikohen gjenetikisht për të arritur qëndrueshmëri dhe për të qenë në gjendje të "popullojnë" Marsin. Kjo mund të shkaktojë një reformim të kimisë së planetit dhe të hedhë themelet për krijimin e një ekosistemi që do të ishte më i ngjashëm me atë në Tokë.
Dhe së fundmi, arrijmë në fazën e tretë, e cila do të ishte më e gjata dhe më ambicioze, forcimi i atmosferës së Marsit. Që Planeti i Kuq të arrijë fazën ku mund të mbështesë një ekosistem në të cilin njerëzit mund të jetojnë, është e nevojshme të krijohet një atmosferë që përmban të paktën një të dhjetën e atmosferës mesatare të Tokës, ose të paktën 100 milibar oksigjen.
Në teori, njerëzit mund të jetojnë në habitate të mbrojtura ndërsa atmosfera zhvillohet, duke ia lënë pjesën tjetër të planetit bimëve dhe kafshëve. Por, ata theksojnë se ky proces mund të zgjasë më shumë se 1.000 vjet. Mund të përshpejtohet duke çliruar oksigjen nga uji i tretur, por kjo teknikë do të kishte nevojë për kërkime të mëtejshme duke pasur parasysh atë që është në dispozicion në Mars.
"Ne e dimë që Marsi ishte i banueshëm në të kaluarën, bazuar në të dhënat e kthyera nga roverët e Marsit, kështu që gjelbërimi i Marsit mund të konsiderohet sfida përfundimtare e restaurimit mjedisor", tha për Space.com bashkëautori Edwin Kite, një profesor i asociuar në Universitetin e Çikagos.
"Nëse vendosim ta teraformojmë Marsin, atëherë do ta ndryshojmë atë në mënyra që mund të jenë ose jo të kthyeshme", tha për Space.com bashkëautorja Nina Lanza, një shkencëtare planetare në Laboratorin Kombëtar të Los Alamos. Marsi është planeti i vet dhe ka historinë e vet. Kur ne teraformojmë, nuk kemi më mundësi ta studiojmë atë dhe mund të humbasim njohuritë rreth mënyrës se si formohen dhe evoluojnë planetët.
Por, theksojnë shkencëtarët, përpara se të mendojmë për terraformimin e Marsit, së pari do të na duhet të zbarkojmë një ekuipazh me njerëz në planet dhe ta studiojmë atë më nga afër. Dhe kjo do të zgjasë të paktën një dekadë tjetër, edhe me parashikimet më optimiste.
/Motilokal.com
