Rama pas vendimit të OSHP: Sabotazha mori fund, e drejta në anën tonë

Rama pas vendimit të OSHP: Sabotazha mori fund, e drejta në anën tonë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili i dha të drejtë komunës në lidhje me përzgjedhjen e kompanisë që do të menaxhojë mbeturinat në kryeqytet.

“Sabotazha merr epilog, e drejta është në anën e Komunës së Prishtinës!”, ka deklaruar Rama, duke theksuar se pas një sërë pengesash të qëllimshme nga kompania rajonale “Pastrimi” SH.A përfshirë greva, bllokime dhe ankesa të njëpasnjëshme, OSHP vendosi në mënyrë të qartë në favor të komunës.

Sipas Ramës, ky vendim i hap rrugë vazhdimit të procedurave për përzgjedhjen e një kompanie të re për menaxhimin e mbeturinave, duke e cilësuar këtë si një fitore për interesin publik dhe për qytetarët e Prishtinës që meritojnë një qytet të pastër dhe shërbime cilësore.

“Me këtë vendim, i jepet fund një bllokade të padrejtë që synonte sabotimin e një procesi të hapur dhe ligjor të prokurimit”, shtoi ai.

Rama theksoi se komuna do të vazhdojë me përkushtim ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm për menaxhimin e mbeturinave, duke e vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimmarrjeje.


/Motilokal.com