Po vjen Golf GTI Edition 50

Po vjen Golf GTI Edition 50

Edhe pse ende nuk është zyrtarisht në treg, Golf GTI Edition 50 tashmë ka hyrë në histori. Më 20 qershor 2025, Volkswagen do ta prezantojë këtë model të veçantë gjatë garës 24-orëshe në Nürburgring, si pjesë e përgatitjeve për 50-vjetorin e ikonës Golf GTI, që do të festohet në vitin 2026.

Golf GTI Edition 50 është modeli GTI më i fuqishëm i prodhuar ndonjëherë në seri. Ai do të shënojë një moment të rëndësishëm për markën, jo vetëm si simbol i përvjetorit, por edhe për performancën që sapo ka demonstruar në pistën legjendare të Nordschleife.

Me një automjet testues pothuajse identik me modelin përfundimtar, piloti Benny Leuchter arriti një kohë mbresëlënëse prej 07:46.13 minuta, duke vendosur kështu një rekord të ri për një Volkswagen me homologim rrugor në Nürburgring. Asnjëherë më parë, një GTI nuk ka qenë më i shpejtë në këtë pistë.

Modeli do të ofrohet opsionalisht me paketën Performance, e cila përfshin një shasi të avancuar sportive, disqe ultra të lehta 19-inç dhe goma Bridgestone Potenza Race me profil të pjesshëm të lëmuar, të zhvilluara posaçërisht për këtë version. Këto goma janë montuar në rrota të shtypura me kallëp që reduktojnë ndjeshëm masën rrotulluese, duke përmirësuar ndjeshëm performancën në pistë.

“Veturën rekorde e kisha të pajisur me këtë paketë dhe, sipas mendimit tim, ajo ishte faktori vendimtar”, deklaroi Leuchter.

Tre vite më parë, Leuchter kishte vendosur kohën më të mirë për një Volkswagen me tërheqje në të katër rrotat Golf R 20 Years (245 kW/333 KS) me një kohë prej 07:47.31 minuta.

Duhet theksuar se rrethi i matur atëherë në Nordschleife fillonte para tribunës T13, ndërsa rreth 200 metra të pistës nuk llogariteshin në kohë. Ndryshe nga ajo, rekordi i ri i GTI Edition 50 prej 07:46.13 minuta përfshin edhe këtë segment shtesë.

Fuqia e saktë e motorit ende nuk është bërë publike, por pritet të jetë më e lartë se ajo e GTI standard, i cili aktualisht ka 265 kuaj/fuqi.

/Motilokal.com