Pas një periudhe të gjatë dhe të vështirë për qytetin e Prishtinës për shkak të grevës së punëtorëve të Ndërmarrjes Publike “Pastrimi”, Kryeqyteti dhe Kryetari Përparim Rama njoftuan sot arritjen e marrëveshjes me përfaqësuesit e punëtorëve, duke i hapur rrugë rikthimit të shërbimit të mbledhjes së mbeturinave.
Kryetari Rama theksoi se qëndrimi i Kryeqytetit ka qenë gjithmonë i qartë: mbështetje për të drejtën e punëtorëve për pagë dhe punë, por njëkohësisht edhe përkushtim maksimal që kryeqyteti të mos mbulohet nga mbeturinat.
“Për këtë arsye, në disa seanca kemi kërkuar nga Kuvendi Komunal subvencionimin e pagave si hap urgjent. Fatkeqësisht, ky propozim nuk është votuar nga vetë opozita”, deklaroi ai.
Gjatë gjithë kësaj periudhe grevistësh, Komuna ka zhvilluar dhjetëra takime me përfaqësuesit e punëtorëve, duke dëgjuar kërkesat dhe duke kërkuar zgjidhje ligjore të qëndrueshme. Kryetari shprehu keqardhje për situatën në të cilën u detyruan të gjendeshin punëtorët, por njëkohësisht konfirmoi se marrëveshja e arritur nuk do të thotë pajtueshmëri me qasjen e menaxhmentit aktual të ndërmarrjes.
“Fatkeqësisht, menaxhmenti ka kontribuar në përkeqësimin e situatës, duke shpërndarë dezinformata dhe duke e politizuar çështjen. Kjo ka sjellë pasoja serioze për shëndetin publik në Prishtinë”, tha Rama.
Marrëveshja e arritur sot përfshin disa pika konkrete:
- Çështja e pagesës për shërbimet janar–maj do të adresohet në Gjykatën kompetente dhe do të synohet zgjidhja përmes marrëveshjes apo ndërmjetësimit.
- Pas vendimit të Gjykatës Supreme, KRM “Pastrimi” do të bëjë inkasimin vetë për shërbimet që ofron.
- Mjetet e inkasuara nga Kryeqyteti gjatë kësaj periudhe do të transferohen menjëherë tek Ndërmarrja “Pastrimi”.
- Të gjithë qytetarët që kanë kryer pagesat gjatë këtij viti do të kenë pagesat e tyre të njohura dhe të pranuara nga ndërmarrja.
Në fund, Kryetari Rama përsëriti zotimin se Kryeqyteti mbetet i përkushtuar për një zgjidhje të drejtë, ligjore dhe në interes të qytetarëve dhe punëtorëve, duke i falënderuar punëtorët për gatishmërinë për dialog dhe kthimin në punë.
/Motilokal.com
