
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka lëshuar një njoftim zyrtar për të gjithë fermerët mbajtës të deleve dhe dhive në zonat kufitare të Republikës së Kosovës, pas konfirmimit të rasteve me sëmundjen PPR (Mortaja e Dhenve dhe Dhive) në disa rajone të Shqipërisë.
Me qëllim të mbrojtjes së tufave dhe parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje ngjitëse në territorin e Kosovës, AUV kërkon zbatimin e masave të menjëhershme të sigurisë:
- Të evitohet çdo kontakt i drejtpërdrejtë i deleve dhe dhive me kafshë që vijnë nga territori i Shqipërisë;
- Të mbahet monitorim i rregullt i kafshëve;
- Të raportohen menjëherë te veterineri zyrtar lokal çdo shenjë e dyshimtë si: ethe të larta, sekrecione nga goja, hundët apo sytë, dhe dobësi të përgjithshme;
- Të ndalohet futja e kafshëve të tjera në tufat ekzistuese.
AUV thekson se këto masa janë thelbësore për ruajtjen e shëndetit të kafshëve dhe për parandalimin e përhapjes së sëmundjes në vendin tonë. Fermerët inkurajohen të bashkëpunojnë ngushtë me shërbimet veterinare në terren dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare në mënyrë rigoroze.
Për çdo informacion shtesë apo dyshim, qytetarët dhe fermerët mund të kontaktojnë drejtpërdrejt me zyrat komunale veterinare ose linjën zyrtare të AUV-së.
/Motilokal.com