Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” bën thirrje për kursim të ujit të pijshëm

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” bën thirrje për kursim të ujit të pijshëm

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka apeluar qytetarët që të shpenzojnë racionalisht ujin e pijshëm, në një kohë kur kërkesat për ujë janë në rritje dhe gjysma e popullsisë së planetit po përballet me mungesë të ujit të pijshëm.

Në një komunikatë për media, kompania thekson rëndësinë jetike të ujit, jo vetëm për konsum dhe higjienë, por edhe për prodhim, furnizim dhe zhvillim të qëndrueshëm. “Uji nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, sepse kjo çon në zvogëlim të rezervave të ujit të pijshëm. Ai duhet kursyer pikë për pikë”, thuhet në njoftim.

KRU “Prishtina” bën të ditur se, pavarësisht shpërndarjes së ujit në mënyrë të barabartë dhe kapaciteteve maksimale të trajtimit, sfidat janë të mëdha dhe bashkëpunimi i qytetarëve është vendimtar.

“Jemi në terren çdo ditë duke inspektuar për kyçje ilegale dhe keqpërdorime në zona urbane dhe rurale. Apelojmë që secili të kontribuojë me përdorim racional, sepse vetëm kështu mund të sigurojmë ujë të mjaftueshëm për të ardhmen”, njofton kompania.

Në fund të apelit, theksohet se “Ujin mund ta zëvendësojë vetëm uji. E ardhmja varet nga disa veprime që i marrim sot.”

/Motilokl.com